Uzuni: Kam oferta nga dy klube të La Ligas, e meritoj ftesën në Kombëtare
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare dhe i Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci, Myrto Uzuni së fundmi ka folur për periudhën e izolimit dhe zërat për një largim të mundshëm në La Liga.
“Isha në një formë mjaft të mirë në javët e fundit, por erdhi kjo ndalesë, që nuk ishte vetëm për mua, por globale, ndaj uroj të rikthehem aty ku e kam lënë.
E ardhmja? Unë nuk eci me plane, por vetëm përqendrohem te puna e përditshme. Megjithatë siç e thashë, më ndali në momentin më të mirë, por besoj se do të rikthehem në të njëjtën formë. Në fakt kam pasur oferta dhe besoj se do të përshtatesha shumë mirë në të gjithë kampionatet e pesëshes kryesore të Europës, përveç Bundesligës.
Kampionati që preferoni? Besoj se për cilësitë që kam, do të gjeja veten shumë mirë në La Liga. Janë dy klube që kanë shfaqur interes të vazhdueshëm dhe kanë paraqitur edhe ofertat zyrtare, por të shohim si do shkojnë gjërat.
Ftesa në kombëtare? Normalisht që e meritoj, pasi po kaloj një formë mjaft të mirë, krahasur edhe me futbollistët e tjerë të atij reparti. Megjithatë unë jam i përqendruar të bëj më të mirën dhe të jem në formë, pasi jam i sigurt që ftesa nuk do mungojë. Dua të vij dhe të luaj, jo thjesht të jem i pranishëm”, deklaroi Uzuni për “Fan Zone”.