Uzuni largohet nga Lokomotiva e Zagrebit, ja mesazhi i tij në rrjetet sociale
Myrto Uzuni mbyll aventurën e tij me Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi shqiptar së bashku me bashkëkombasit e tij arriti ta çonte skuadrën kryeqytetase për herë të parë në histori në paraeliminatoret e Champions League.
Tashmë Uzuni do të nisë një eksperiencë të re në Budapest me kampionët e Hungarisë, Ferencvaros që paguan 1,8 milionë euro për kartonin e tij, por përpara se të largohej nga Lokomotiva, 25-vjeçari i kombëtares shqiptare i ka falenderuar të gjithë në klub për këto 2 vite të mrekullueshme.
“Me këtë postim dua të falënderoj çdokënd te Lokomotiva e Zagrebit, të cilët ishin pjesë e udhëtimit tim në këto dy vite. Dua të falënderoj klubin që besoi tek unë dhe më dha mundësinë të të luaja këtu, shokët e skuadrës, stafin teknik dhe drejtuesit. Falënderime nga zemra që më ndihmuat të rritem dhe të përgatitem për hapin e radhës në karrierë.
Jam shumë i lumtur që e mbyllëm këtë sezon me një sukses historik për Lokomotivën, siç ishte kualifikimi për herë të parë në Champions League, por edhe daljen në finalen e Kupës. Jam i gëzuar që ndihmova skuadrën me golat e shënuar dhe asistet që dhurova për shokët. Urimet më të mira“, shkruan Myrto Uzuni në profilin e tij në “Instagram”.