Uzuni prezantohet te kampionët e Hungarisë, përfiton edhe Laçi
Myrto Uzuni bën një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është transferuar zyrtarisht te skuadra kampione e Hungarisë Ferencvaros.
Klubi nga Budapesti fitoi konkurrencën për të marrë shërbimet e 25-vjeçari i cili ka firmosur për 4 vite me bardhëjeshilët kontratë nga e cila do të përfitojë 300 mijë euro në sezon dhe 1,2 miljonë euro në total.
Lokomotiva e Zagrebit ka bërë publike edhe shifrat e transferimit të Uzunit te Ferencvaros me shqiptarin që është shitur për 14 milionë kuna kroate që në total janë të barasvlefshme me 1 milionë e 850 mijë euro. Në sezonin e tij të dytë me Lokomotivën e Zagrebit, beratasi bëri shpërthimin e madh duke realizuar dhe 9 gola në 30 ndeshje të kampionatet pa përmendur asistet dhe finalizimet në Kupën e Kroacisë.
Nga kalimi i Uzunit te Ferencvaros fërkon duart edhe Laçi që kishte ruajtur 20% të kartonit të futbollistit dhe në arkat e kurbinasve të cilët e shitën dy vite më parë lojtarin te Lokomotiva e Zagrebit për 350 mijë euro do të shkojnë edhe 360 mijë euro të tjera në total duke bërë që Laçi të përfitojë në total nga ky transferim 710 mijë euro.