Varane bën gati “divorcin” me Realin, 4 skuadra në garë për të
Raphael Varane dhe Real Madrid mund të ndajnë rrugët e tyre në fund të këtij sezoni. Një nga arsyet kryesore të krisjes mes palëve është hezitimi i francezit për të rinovuar kontratën, që është e vlefshme deri në verën e vitit 2022.
Reali nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë me parametra zero një lojtar të kalibrit të Varane dhe do të detyrohet ta nxjerrë në shitje mbrojtësin, në rast se ky i fundit nuk rinovon deri në muajin qershor. Sipas mediave spanjolle, 4 klube janë në garë për të transferuar kampionin e Botës.
Në krye të listës është PSG, pasi Varane do ta pëlqente një rikthim në Francë, aty ku spikati me fanellën e Lens. Përveç kampionëve të Francës, në garë për shërbimet e mbrojtësit janë edhe Chelsea, Manchester United dhe Juventus.