Veliaj pret basketbollistet e Partizanit që fituan Ligën Unike: Krenar për lojën tuaj
Partizani është shpallur fitues i Ligës Unike në basketboll për femra. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti vajzat e skuadrës, të cilat i përgëzoi për titullin, sidomos në një vit kaq të veçantë, ku Tirana është Qyteti Europian i Sportit 2023.
“Jam super krenar për gocat e Partizanit dhe performancën e tyre të shkëlqyer. Në vitin që jemi Qyteti Europian i Sportit 2023, sjellja e një kupe në Tiranë më bën vërtet shumë të lumtur. Ndihem i shpërblyer, jo vetëm për faktin se kemi kthyer vëmendjen te sporti. Më pëlqen edhe rivaliteti kur, njëherë e sjell Tirana një kupë, një herë Partizani, duke na bërë të besojmë fort tek arritjet në të ardhmen dhe sigurisht, frymëzon çuna e goca të vegjël që shohin e thonë: ‘Ej, mund t’ia dalësh, në këtë vend mund të jesh sportist i mirë, qytetar i mirë, mund të jesh aktivist e i angazhuar’. Fakti që sot ekipi është ndërkombëtar, nga të gjithë cepat e Shqipërisë, por edhe nga cepa të ndryshëm të botës, e ka bërë vërtet kuptimplotë këtë kupë,” u shpreh Veliaj.