Vërshëllimat ndaj himnit të Francës dhe sendet e hedhura në fushë, UEFA dënon Shqipërinë
Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur me 5 mijë euro nga Komisioni i Disiplinës të UEFA-s, për shkak të vërshëllimave të tifozëve kuqezi, gjatë ekzekutimit të himnit të Francës, në ndeshjen Shqipëri-Francë të zhvilluar në “Air Albania”.
Disiplina nuk është mjaftuar me kaq, teksa ka vendosur të gjobisë Shqipërinë me 23 mijë e 500 euro gjobë, për shkak të sendeve të hedhura në fushën e lojës.
Në total FSHF është gjobitur me 28 mijë e 500 euro. Një shumë e konsiderueshme, teksa bëhej fjalë vetëm për ndeshjen e parë të luajtur në stadiumin e ri, por mesa duket vëzhguesit e UEFA-s kanë qenë të pamëshirshëm.