Veshi fanellën me mbiemrin Jashari pas ndeshjes, Xhaka mund të hetohet nga FIFA
Xhaka ishte lojtari i ndeshjes mbrëmjen e djeshme për Zvicrën në fitoren kundër Serbisë, edhe pse në fakt nuk do të shënonte. Por veprimet e tij pas vërshëllimës së fundit mund të tërheqin vëmendjen e FIFA-s sipas sajtit anglez “express.co.uk”. Në festimet pas ndeshjes, Xhaka ka veshur një fanellë me emrin “Jashari”.
I pyetur më pas se çfarë do të thoshte ky gjest, mesfushori i Arsenal pohoi se ishte për shokun e skuadrës së Zvicrës, Ardon Jashari. Megjithatë, emri lidhet edhe me Adem Jasharin, një themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftoi për pavarësi nga ish-Jugosllavia. Xhaka është me origjinë shqiptare nga Kosova, që shpalli pavarësinë në vitin 2008, por nuk është njohur nga Serbia.
I pyetur për fanellën më pas, Xhaka tha: “Nuk ka asnjë sfond politik për të. Ardon është pjesë e skuadrës sonë dhe ne kalojmë shumë kohë së bashku. I thashë nëse fitonim do të vishja fanellën e tij”.
Nuk është hera e parë që Xhaka përfshihet në polemika kundër Serbisë. Në Kupën e Botës 2018 në Rusi, ai dhe Xherdan Shaqiri u gjobitën pasi kryqëzuan duart për të imituar shqiponjën e shfaqur në flamurin shqiptar në fitoren 2-1 të Zvicrës.