Villareal buzëqesh për shortin: Juvja në vështirësi, me City-in do të ishte më keq
Klubi i Villarealit nuk e fsheh kënaqësinë për rezultatin që ka dhënë shorti i dytë i 1/8-ve të finales së Champions League. Spanjollëve, që do të përballen me Juventusin, shorti u dhuroi përballjen me Manchester City përpara se UEFA të kërkonte përsëritjen e tij.
“Do të përballemi me një klub për të cilin kemi respekt të madh dhe po mendojmë që tani se si do të ndeshemi. Por, kur merr në analizë faktorë të ndryshëm, besoj se për ne situata u përmirësua.
Është e qartë që bëhet fjalë për një rival të madh si City, por anglezët vijnë nga një finale e humbur dhe ndoshta përballja me ta do të ishte më e rrezikshme.
Pastaj Guardiola na njeh më mirë, ndërsa Juventusi nuk më duket se po kalon një moment të mirë. Gjithsesi mbetet një skuadër e madhe dhe e dimë që për të kaluar turin duhet të pështyjmë gjak”, deklaroi ish-mesfushori Marco Senna, që tani ka rol drejtuesi te ekipi spanjoll.