Viti 2025 nis mbarë për Muçin, Bajramin dhe Seferin

Viti 2025 ka nisur në mënyrën më të mirë për legjionarët shqiptarë, të cilët kanë spikatur me lojën dhe kontributin e tyre në fushë. Në sfidën e parë të Besiktas për këtë vit, Ernest Muçi ishte menjëherë protagonist, duke shënuar një super gol.

Futbollisti kuqezi, i aktivizuar si titullar ndaj Rizesporit, barazoi rezultatin në fundin e pjesës së parë, në minutën e 45+3. Pjesa e dytë nuk prodhoi asnjë gol dhe në fund ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Në kampionatin turk, viti nisi mbarë edhe për Taulant Seferin. Sulmuesi kuqezi dha një asist në barazimin 1-1 të Bodrumsporit ndaj Kayserisporit. Seferi shërbeu saktë për shokun e skuadrës, Cenk Sen, në minutën e 76-të.

Edhe Nedim Bajrami dha një asist në ndeshjen e Rangersit në transfertë ndaj Hibernianit. Mesfushori kuqezi e nisi nga minuta e parë ndeshjen dhe shërbeu saktë për Igamane në minutën e 19-të, duke çuar shifrat në 2-0. Megjithatë, ndeshja në fund u mbyll në barazim me rezultatin 3-3.

Me skuadrat e tyre dhanë kontributin edhe disa legjionarë të tjerë, ndërsa në disa kampionate në Europë dhe botë viti futbollistik nuk ka nisur ende.

SHKARKO APP