Vlahovic refuzon rinovimin me Fiorentinën, në prapaskenë qëndron … Juventusi
Dusan Vlahovic e sheh të ardhmen larg skuadrës së Fiorntinës. Sulmuesi i talentuar së fundmi ka refuzuar rinovimin e kontratës me klubin vjollcë, teksa ajo aktuale përfundon në vitin 2023. Presidenti Rocco Commisso rrëfen krejt situatën, duke u shprehur se lojtari do të japë maksimumin pavarësisht këtij fakti.
“U kam premtuar fansave që kur kam ardhur se do jem i sinqertë me ta dhe nuk do të bëj premtime që nuk mund t’i mbaj. Doja të flisja për rinovimin me Vlahovic. Fiorentina i bëri një ofertë shumë të rëndësishme, një kontratë që e bënte lojtarin më të paguar në historinë e klubit.
Oferta jonë është përmirësuar disa herë për të plotësuar kërkesat e Dusan dhe përfaqesusve të tij. Pavarësisht përpjekjeve tona, propozimi i rinovimit nuk u pranua. Jam përpjekur të gjej një zgjidhje që të lumturojë djalin dhe klubin, por për fat të keq përpjekja jonë nuk është shpërblyer.
E vetmja gjë që na mbetet është që të respektojmë vullnetin e lojtarit dhe të gjejmë një zgjidhje të mundshme dhe të përshtatshme, që të vazhdojmë këtë sezon emocionues. Në çdo rast lojtari ka një kontratë të vlefshme për 21 muajt e ardhshëm dhe ne jemi të sigurt që ai do e ndihmojë skuadrën për të arritur objektivat me golat e tij.”, është shprehur presidenti i Fiorentinës. Juventusi përflitet se qëndron pas lojtari prej kohësh, teksa në verën e ardhshme mund të tentojë një goditje “alla Chiesa”.