Vllaznia mund Flamurtarin 1-0 në Vlorë
Përfundoi me fitoren e Vllaznisë takimi hapës i javës së 12-të në Kategorinë Superiore. Kuqeblutë i morrën maksimumin transfertës së Vlorës përballë Flamurtarit duke triumfuar me rezultatin 1-0. Ai që i dhuroi këtë sukses ekipit shkodran ishte mbrojtësi Stefan Cicmil. Malazezi shfrytëzoi me kokë një goditje dënimi të ekzekutuar nga Kalaja.
Flamurtari pati mundësinë të barazonte 5 minuta përpara fundit kur gjuajtja e Donjet Shkodrës përfundoi në shtyllën e majtë të portierit kuqeblu Agoviç.
Kjo ishte hera e parë që Vllaznia fitonte në Vlorë pas 9 vitesh. Një sukses i rëndësishëm i cili momentalisht e largon skuadrën e Cungut nga zona e ftohtë e klasifikimit, ndërsa ndërlikohet situata tek Flamurtari që mbetet në vendin e parafundit me 7 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

