Vuçiç e konfirmon: Serbi–Shqipëri do të luhet në Leskovac, jo në Beograd
Në pritje të vendimit përfundimtar nga UEFA, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se ndeshja e 11 tetorit ndaj Shqipërisë nuk do të zhvillohet në Beograd, por në stadiumin e ri të Leskovacit.
Kreu i shtetit serb ka qenë kritik ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për zgjedhjen e stadiumit “Rajko Mitiç” në sfidën e fundit kundër Anglisë, duke e cilësuar atmosferën në Beograd të papërshtatshme për kombëtaren.
“Nuk e di kush vendosi që sfida me Anglinë të luhej në Beograd. Ndoshta federata nuk i rezistoi presionit të ambasadës britanike. Por ajo atmosferë nuk i bën mirë kombëtares. Në tribunë dhe në fushë u pa qartë se tifozët nuk e mbështesin ekipin,” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se kundër Shqipërisë atmosfera do të jetë krejt ndryshe: “Federata më ka thënë se me Shqipërinë do të luajmë në Leskovac. Ky është një lajm shumë i mirë. Aty kombëtarja mbështetet realisht dhe tifozët krijojnë një klimë pozitive. Nuk e dimë ende nëse do të kemi spektatorë, pasi UEFA dhe FIFA mund të na ndëshkojnë për incidentet ndaj Anglisë, por nëse lejohet, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur ekipin.”
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të presidentit serb, në faqen zyrtare të UEFA-s sfida e Serbisë me Shqipërinë figuron ende e programuar në Beograd. Vendimi përfundimtar i institucionit europian pritet në ditët në vijim.`
KOHA JONË SONDAZH

