Vuçiç “ndez” duelin ndaj Shqipërisë nga një tubim me trajnerin Stojkovic: Në qershor do të shkojë në Tiranë për të fituar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe emocionale për trajnerin e kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, vetëm pak ditë pasi ndodhej në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Në një tubim të mbajtur në qytetin e Nishit, Vuçiç u ndal te përballja e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, për eliminatoret e Botërorit 2026.
“Ju lutem, duartrokisni fort trajnerin tonë, legjendën e Nishit, Dragan Stojkoviç. Ai nuk është fshehur si të tjerët, por ka ardhur sonte këtu me ne. Në qershor apo korrik ai do të shkojë në Tiranë për të fituar ndaj Shqipërisë,” deklaroi Vuçiç, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj sfide për përfaqësuesen serbe.
Deklarata e kreut të shtetit serb, e cila është shpërndarë nga media sportive serbe “Sport Klub”, vjen në një klimë të ndjeshme për shkak të historikut mes dy vendeve dhe tensioneve të mëparshme në ndeshjet mes tyre.
Shqipëria dhe Serbia ndodhen në Grupin K të fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026, dhe sfida e 7 qershorit pritet të jetë jo vetëm vendimtare për ecurinë sportive të të dyja kombëtareve, por edhe ngarkuar emocionalisht dhe simbolikisht për tifozët dhe opinionin publik.