Yakin flet për Xhakën: E ka kuptuar se ka bërë një gabim, mendon dhe vepron për të mirën e ekipit!

Granit Xhaka nuk është pjesë e grumbullimit aktual të Kombëtares së Zvicrës, pas polemikave të krijuara rreth çështjes së certifikatës së falsifikuar të vaksinimit.
Kapiteni zviceran ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpi në këtë periudhë, ndërsa trajneri Murat Yakin ka folur për situatën dhe të ardhmen e liderit të skuadrës. Në një intervistë për Blick, Yakin tha se Xhaka e ka pranuar gabimin dhe ka marrë përgjegjësinë publikisht për veprimet e tij.
Sipas trajnerit të Zvicrës, vendimi i Xhakës për të mos qenë pjesë e këtij grumbullimi lidhet me dëshirën për të mbrojtur ekipin nga presioni dhe diskutimet e shumta që kanë shoqëruar këtë çështje.
“E ka kuptuar se ka bërë një gabim”, është shprehur Yakin, duke nënvizuar se kapiteni ka marrë përgjegjësinë publike për sjelljen e tij.
Trajneri zviceran theksoi se mungesa e Xhakës është e rëndësishme në aspektin sportiv, por në rrethanat aktuale të dyja palët kanë vlerësuar se kjo ishte zgjidhja e duhur.
“Sportivisht, sigurisht që është shumë e keqe që ai mungon”, tha Yakin.
Pavarësisht mungesës, komunikimi mes trajnerit dhe kapitenit vijon të jetë i ngushtë. Yakin vlerësoi veçanërisht mënyrën se si Xhaka po e përballon situatën dhe tha se ai vazhdon të mendojë për interesin e skuadrës.
“Ai është shumë reflektues, i qartë, mendon dhe vepron për të mirën e ekipit. Këtë e vlerësoj shumë”, deklaroi Yakin.

