Yamal: Më ka ndryshuar jeta në çdo aspekt, tani s’mund të bëj çfarë të dua!
Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka treguar anën më personale të jetës së tij në një intervistë për podcast-in Resonancia de Corazón. Vetëm 17 vjeç, por me një famë që tashmë i ka ndryshuar gjithçka, ai pranoi se jeta e tij nuk është më ajo e dikurshmja.
“Jeta ime ka ndryshuar në çdo aspekt. Më parë mund të bëja çfarë të doja, dilja me miqtë, por tani nuk mundem më. Kujtoj turneun e kësaj vere në Korenë e Jugut, Japoni e Kinë: ishte e pamundur të dilje, por jam i lumtur”, rrëfeu ai.
Yamal foli për origjinat nga Maroku, për pasionet e tij, por mbi të gjitha për dashurinë ndaj nënës, Sheila Ebana.
“Mami nuk mund të rrinte shumë me mua sepse punonte, por gjithmonë përgatiste darkën kur kthehej në shtëpi. I bleva një shtëpi, është mbretëresha ime, meriton gjithçka dhe është gjëja që dua më shumë në botë. Kujtoj kur më bleu PlayStation 4, që për mua ishte gjithçka në atë kohë. Tani luaj shumë me PS5: edhe sikur të kisha vilën më të madhe në botë, prapë do të isha në dhomën e playstation-it”, tha mes të qeshurash talenti blaugrana.
Një nga kujtimet më të dhimbshme për të mbetet lajmi për plagosjen me thikë të babait.
“Isha në makinë me kushëririn tim Moha dhe na telefonuan nga Maroku për të thënë çfarë kishte ndodhur. Isha vetëm 16 vjeç. Zbrita nga makina dhe doja të shkoja në stacionin e trenit në Mataró. Imagjino të jesh fëmijë dhe të dëgjosh se babai yt është therur. Desha të hipja në tren, por kushëriri nuk më lejoi.
Më mbyllën në shtëpi, ndërsa unë kërkoja të dilja. Ishte periudhë e vështirë, dhe ditën tjetër unë isha në stërvitje. Më pas babai më telefonoi dhe më tha se ishte mirë dhe të isha i qetë. E vizitova në spital ditën pas ngjarjes”, tregoi ai.
Në fund, Yamal u ndal edhe tek polemikat që shpërthyen pas festës së ditëlindjes së tij të 18-të: “Nuk jam i zemëruar. Shumë njerëz u përpoqën ta prishnin atë ditë në mënyra të ndryshme”, tha ylli i Barcelonës.
KOHA JONË SONDAZH

