Zanetti: Vështirë që të mendojmë për rifillimin e kampionatit

Zëvendës-presidenti i Interit, Javier Zanetti nuk e fsheh pesimizmin për mundësinë e rifillimit të kampionatit italian. Situata e vështirë për shkak të koronavirusit, ka bërë që situata në Itali të mos jetë aspak shpresëdhënëse.

“Është një situatë shumë e vështirë, dramatike në të gjithë botën, sepse koronavirus po e prek kaq shumë popullsinë. Ne nuk mund të nënvlerësojmë asgjë. Ekziston një shqetësim i madh dhe ne si klub, së pari, duke pasur pronësi kineze, kuptuam se ishte një gjë shumë serioze.

Të mendosh për daljen nga kjo situatë sot është shumë e vështirë. Deri më 13 prill duhet të qëndrojmë në shtëpi, me shpresën se ky virus të qetësohet dhe largohet përfundimisht. Është shumë e vështirë të mendosh për rifillimin dhe rikuperimin e ndeshjeve të kampionatit.

Ata që marrin vendime për të ardhmen e futbollit do të duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po flasim për shëndetin dhe jemi tejet të shqetësuar. Nuk është një diçka që fiket dhe ndizet përsëri. Ne, gjithashtu, duhet të kuptojmë aspektin psikologjik të lojtarëve. Unë perceptoj shqetësim të madh te të gjithë dhe kjo duhet të kuptohet. Personalisht punoj nga shtëpia me trajnerin Conte, me Oriali dhe gjithë të tjerët. Të gjithë jemi duke punuar së bashku.

Gjetja e një formule është e komplikuar për momentin. Për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ka më shumë kohë, por së pari duhet të kuptojmë kur do të zgjidhet situata. Ne, gjithashtu, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos bërë kompromise në dëm të sezonit të ardhshëm. Nuk është e lehtë të marrësh një vendim në këtë situatë. Ne duhet t’i shohim të gjitha kartat në tryezë dhe pastaj të shpresojmë të marrim vendimin e duhur”, deklaroi Zanetti.

SHKARKO APP