Zbulohet klauzola e Ramadanit te Lecce, kontrata mund t’i rinovohet automatikisht
Pas një periudhe të vështirë, të shoqëruar me luhatje të ndjeshme në formë dhe rol, Ylber Ramadani ka rigjetur stabilitetin dhe rëndësinë e tij te Lecce. Mesfushori kuqezi është shndërruar sërish në një titullar të padiskutueshëm, duke u kthyer në një nga pikat kyçe të skuadrës në Serie A.
Ramadani renditet mes lojtarëve që përshkojnë më shumë kilometra në kampionatin italian këtë sezon, një tregues i qartë i intensitetit dhe punës së tij në mesfushë. Së bashku me Medon Berishën, ai ka kontribuar ndjeshëm në ringritjen e repartit qendror të Lecce-s, duke i dhënë ekuilibër dhe dinamizëm skuadrës.
Rol vendimtar në këtë rikthim ka pasur edhe trajneri Eusebio Di Francesco, i cili ka treguar besim të plotë te mesfushori shqiptar, duke e bërë një element të rëndësishëm në skemat e tij taktike.
Ndërkohë, viti 2026 pritet të jetë përcaktues për të ardhmen e Ramadanit, pasi kontrata e tij aktuale me Lecce-n hyn në vitin e fundit. Mediat italiane kanë zbuluar se në marrëveshje ekziston një klauzolë që i lejon klubit të zgjasë bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, drejtuesit e Lecce-s, të mbështetur edhe nga dëshira e Di Francesco-s për ta mbajtur në ekip, pritet të nisin bisedimet me Ramadanin për një rinovim të mundshëm. Edhe në rast se palët nuk arrijnë një marrëveshje të re, klubi ka në dorë opsionin për të aktivizuar zgjatjen automatike të kontratës edhe për një vit tjetër.
KOHA JONË SONDAZH

