Zbulohet lojtari që po ndjek Silvinho në Argjentinë
Trajneri i Shqipërisë, Silvinho, ka zbuluar sot gjatë një konference për shtyp se po ndjek me vëmendje një lojtar që luan në kampionatin argjentinas, pa zbuluar emrin. Sipas burimeve pranë ekipit kuqezi, bëhet fjalë për Tomas Guidara, mbrojtësin 29-vjeçar të skuadrës Huracán.
Guidara, i cili mban nënshtetësi të dyfishtë – argjentinase dhe shqiptare – është në orbitën e Kombëtares shqiptare, pasi nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë përfaqësuese tjetër dhe është i gatshëm të përfaqësojë ngjyrat kuqezi.
Që prej janarit të këtij viti, ai është pjesë e Huracán në Argjentinë, ku ka zhvilluar 16 ndeshje si titullar dhe është bërë një prej lojtarëve më të rëndësishëm në mbrojtjen e ekipit. Karriera e tij ka qenë e gjitha në futbollin argjentinas: e nisi te të rinjtë e Belgrano, u ngjit në ekipin e parë dhe më pas kaloi te Vélez Sarsfield, para se të transferohej te Huracán.
Roli i tij natyral është mbrojtës i djathtë, por është një element i vlefshëm edhe në qendër të prapavijës, falë përvojës dhe fleksibilitetit taktik. Interesimi për Guidarën nuk është i ri: ai ishte ndjekur edhe gjatë kohës kur trajneri Panucci drejtonte Shqipërinë, por atëherë mungoi një ftesë zyrtare.

KOHA JONË SONDAZH

