Zbulohet sekreti i formës së shkëlqyer të Higuain këtë fillim sezoni

Pas dy aventurave të dështuara te Milani dhe Chelsea, Gonzalo Higuain është rikthyer në formën më të mirë te Juventusi. Trajneri Maurizio Sarri ka shumë besim te vlerat e argjentinasit, ndaj dhe vendosi që t’i jepte besim, edhe pse ishte i pari në listën e largimeve të ekipit torinez.

 

“Pipita” deri më tani ka shënuar 2 gola në Seria A dhe një në Champions League. Fansat e kanë kritikuar shumë argjentinasin për shkak të peshës së tij, por duke parë formën në ndeshjet e fundit ata kanë ndryshuar mendim.  Argjentinasi ka kuptuar më së miri stilin e lojës së Sarrit, duke u përshtatur menjëherë me mekanizmat e tij. Një nga sekretet e rigjenerimit të tij është dieta e rreptë.

31-vjeçari ka arritur që të ruajë peshën 75 kg falë një diete të ndjekur në mënyrë strikte. Sipas gazetës “La Stampa”, dieta i ka dhënë mundësinë që të humbasë 2-3 kg shtesë që kishte. Ndjekja e një regjimi ushqimor të caktuar, ka qenë mënyra më e mirë për të ruajtur formën.

Kontrata e argjentinasit skadon në vitin 2021, teksa nuk përjashtohet mundësia që të kalojë te River Plate pas rinovimit të kontratës. Për momentin, po shohim Higuainin më të mirë në sezonet e fundit, duke rikujtuar vitet kur ishte pjesë e Napolit, apo sezonet e para me Juventusin. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP