Zguro përforcimi i dytë i Luftëtarit
Luftëtari nuk ndalet në merkato. Skuadra surprizë e këtij sezoni në Kategorinë Superiore, ka bërë një tjetër goditje këtë herë duke firmosur me ish lojtarin e Korabit, Vangjel Zguro. Pas Eri Lamçes, pjesë e bluzinjve është bërë edhe mesfushori 23-vjeçar nga Pogradeci i cili është aktivizuar në 10 ndeshje me Korabin gjatë këtij sezoni. Lajmin e ka bërë zyrtar vetë klubi i Luftëtarit duke publikuar edhe disa foto të futbollistit në selinë e klubit gjirokastrit.
Zguro mund të konsiderohet si një përforcim i rëndësishëm në merkato për skuadrën e trajnerit serb Milinkovic që në 18 javët e para të kampionatit ka grumbulluar 22 pikë dhe pozicionohet në vendin e 5-t të klasifikimit duke lënë pas skuadra me emër si Vllaznia, Flamurtari e Teuta.
Për Zguron i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Pogradecin e Butrintin, Luftëtari është skuadra e dytë në Superiore pas Korabit. Vetëm pak orë pasi i dha lamtumirën skuadrës dibrane, 23-vjecari u prezantua nga presidenti i skuadrës gjirokastrite Grigor Tavo dhe zyrtarë të tjerë të klubit. Nuk bëhet e ditur kohëzgjatja e kontratës që ka nënshkruar Zguro me Luftëtarin. Megjithatë e rëndësishme është që bluzinjtë janë shumë aktivë në merkato një sinjal i qartë ky se drejtuesit e Luftëtarit kërkojnë të ndërtojnë një skuadër të fortë të mbështetur te lojtarët e rinj në moshë.
KOHA JONË SONDAZH

