Zhegrova: Juventus gjithmonë më i mirë se Interi, ja pse nuk u largova

Edon Zhegrova ka folur për paraqitjen me Kosovën, objektivat e “Dardanëve” dhe të ardhmen e tij te Juventusi. Sulmuesi anësor u aktivizua vetëm në 15 minutat e fundit në barazimin 0-0 të Kosovës ndaj Izraelit, sfidë e vlefshme për Grupin 3 të Ligës B në Nations League. Pas ndeshjes, Zhegrova pranoi se dëshiron më shumë minuta në fushë.

“Fillimi i ndeshjes në stol ishte një vendim i trajnerit. Mezi po pres ndeshjen e radhës dhe shpresoj të jem titullar dhe të luaj”, u shpreh ai për “Sportmediaset”. Sfida e radhës për Kosovën do të jetë ndaj Austrisë, kryesuese e grupit. Zhegrova beson se “Dardanët” kanë mundësi të marrin një rezultat pozitiv, sidomos duke pasur edhe faktorin fushë.

“Besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi mundësi të mira për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të dalë të parët”, deklaroi 25-vjeçari.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zhegrova foli edhe për aventurën e tij me Juventusin, duke theksuar se është i lumtur që vazhdon të jetë pjesë e klubit torinez.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jam vërtet shumë i lumtur te Juventusi. Është një klub i madh dhe nuk mund të jem veçse i kënaqur me shokët e skuadrës, trajnerin, stafin dhe të gjithë ekipin. Është privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi. Do të jap maksimumin tim sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha ai.

Në merkaton e verës, Zhegrova ishte përfolur për një largim nga Juventusi, por në fund vendosi të qëndrojë.

“Kam qëndruar sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet shumë i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë, pa lënë gjurmën time. Prandaj vendosa të qëndroj dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, u shpreh futbollisti kosovar.

Megjithatë, Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Europa League. Për këtë çështje, ai tregohet i qetë dhe respekton vendimin e trajnerit Luciano Spalletti.

“Është një zgjedhje e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën për klubin dhe respektoj çdo vendim”, tha Zhegrova.

Në fund, Zhegrova foli edhe për objektivin e Juventusit në kampionat dhe mundësinë për të fituar titullin e Serie A.

“Kemi një skuadër të madhe dhe një grup shumë të mirë lojtarësh. Do të shohim ndeshje pas ndeshjeje, me objektivin për të fituar çdo takim që luajmë. Mendoj se i kemi cilësitë për ta bërë këtë. Në fund do të shohim se ku do të jemi”, deklaroi ai.

Sa i përket rivalitetit me Interin, kampionin në fuqi, Zhegrova nuk preferoi të bëjë krahasime, por e mbylli me një batutë: “Nëse jemi më të fortë se Interi? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova me një buzëqeshje.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?