Zidane: E lehtë të flisni për arbitrat, por duhet të respektoni Realin!

Real Madrid mori një fitore minimale ndaj Bilbaos, por polemikat në fundin e ndeshjes nuk do të mungonin sërish në Spanjë. Shkak u bë një penallti e akorduar pas një faulli ndaj Marcelos. Reagimet e kanë mërzitur së tepërmi Zidane, i cili në fundin e ndeshjes u shfaq nervoz.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Një ndeshje e luftuar, me shumë intensitet dhe ritëm, në një fushë dhe ndaj një rival të vështirë. Janë tri pikë tepër të rëndësishme. Gjysmë titulli? Epo, ju mund të më pyesni, por La Liga do të vendoset në fund të sezonit. Ne e dimë që kanë mbetur edhe katër ndeshje. Derisa të sigurohemi nuk mund të qetësohemi dhe të mendojmë për titullin si punë të kryer. Ne kemi treguar përsëri soliditetin tonë, forcën tonë.

Penalltia e Marcelo-s? Unë mendoj se gjyqtari ka shkuar për të parë më mirë rastin në ekran, me VAR, ndaj ka qenë i bindur kur ka akorduar penallti. Unë nuk e kam parë ende në përsëritje, por më thanë që ishte penallti. Rasti iRaúl García? Çfarë doni t’ju them? Unë nuk mund t’ju them asgjë. Secili ka mendimin e tij. Unë kurrë nuk merrem me gjyqtarët. Ata bëjnë punën e tyre, ka edhe një VAR, shikojmë pamjet dhe vendosin.

Nëse titulli do të vendoset nga vendime të tilla të gjyqtarëve? Unë nuk mendoj se është e drejtë të flitet kështu. Ju merreni me polemikat, unë jo. Ne kemi luajtur në fushë, kemi fituar aty. Lojtarët po japin gjithçka në fushë. Ishte fitore shumë e merituar. Ajo që nuk mund ta pranoj është të dëgjoj se po na favorizojnë arbitrat. Real Madridi duhet të respektohet për atë që po bën në fushë. Jam krenar për gjithçka. Po bëjmë mirë dhe jemi të përqendruar në atë që duam të arrijmë”, deklaroi strategu francez.

SHKARKO APP