Zidane: Me Atleticon si finale, por nuk vendos garën për titull!

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane foli në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para duelit me Atletico Madrid. Strategu francez e ka cilësuar si një “finale”, por që sipas tij nuk do të ketë ndikim në garën për titullin kampion.

“Është si një finale, si të gjitha ndeshjet e mbetura për ne. Ne gjithmonë duhet të fitojmë dhe të futemi në fushë për tre pikët. Çfarë do që të ndodhë nesër në ‘Wanda Metropolitano’ do të vazhdojmë të jemi në garë për titullin e La Liga. Duhet të jemi të përqendruar dhe të luajmë lojën tonë.

Benzema? Ne e dimë shumë mirë vlerën që ai ka. Do të jetë në fushë nesër. Është shumë i rëndësishëm për sistemin tonë të lojës, veçanërisht kur kemi topin në zotërim. Duam të shënojmë më shumë gola, edhe pse rëndësi ka që krijojmë raste. Ndërsa në mbrojtje kemi bërë mirë dhe për momentin ajo është pika jonë më e fortë.

Hazard? Ende nuk është gati. Ajo që ne duam është që ai të rikthehet në 100% e tij. Nuk po tregohemi të nxituar me të, po e marrim situatën me qetësi. Duhet t’i japim mbështetje dhe nuk kemi pse të rrezikojmë. Mbase javën e ardhshme mund të jetë me ne”, përfundon Zidane.

SHKARKO APP