Zidane te Juventusi? Vjen vendimi i Real Madridit për francezin
Lajme të mira nga Spanja për Maurizio Sarrin. Me sa duket, Zinedine Zidane do të jetë trajneri i Real Madrid edhe në sezonin e ardhshëm. Për këtë fakt është i bindur gazeta sportive me qendër në Madrid, “AS” që shkruan se madrilenët nuk janë gati për efektin domino që mund të propozonte merkato, për të afruar Pochettinon dhe Zizou të kalonte në Torino.
Los Blancos kanë vendosur që të shfrytëzojnë këtë periudhë delikate për të planifikuar të ardhmen. Trajneri francez do të vazhdojë në krye të madrilenëve, edhe pse fillimisht do të ketë një detyrë të vështirë në Champions, për të përmbysur humbjen 2-1 në ndeshjen e parë kundër City-it.
Zidane është i lidhur me klubin merengues deri në qershor 2022. Me sa duket, tani për tani Reali është duke punuar më shumë te largimet. Me valixhe gati janë Gareth Bale, Odriozola, Brahim Diaz, James Rodriguez, Mariano dhe Jovic. Disa futbollistë të tjerë do rikthehen nga huazimet: Lunin, Achraf, Reguilon, Oscar Rodriguez, Odegaard, Dani Ceballos, Kubo dhe Borja Mayoral. Në merkato synimet kryesore janë Pogba, Haaland dhe Mbappe. /R.Lika-Koha Jone/