“Zmadhojnë organin gjenital për të fituar në Olimpiadë”, akuza e pazakontë për skiatorët
Bota e sportit elitar është mësuar me kufij të shtyrë deri në ekstrem në emër të rezultateve, por akuzat e fundit që kanë dalë në dritë kanë habitur edhe më skeptikët. Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) ka konfirmuar nisjen e hetimeve lidhur me një praktikë të pazakontë dhe potencialisht të rrezikshme në sportin e ski-jumping.
Sipas raportimeve të para të gazetës gjermane Bild, disa sportistë dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital me qëllim përfitimin e një avantazhi aerodinamik gjatë garave. Lajmi ka shkaktuar reagime të forta dhe debat të gjerë në opinionin sportiv ndërkombëtar.
Acidi hialuronik përdoret zakonisht në mjekësinë estetike si filler për rritjen e vëllimit të indeve dhe aplikohet edhe në procedura kozmetike intime. Specialistët e urologjisë shpjegojnë se një injektim i tillë rrit përkohësisht perimetrin e organit, me efekt që zgjat nga 6 deri në 12 muaj dhe kërkon ndërhyrje të përsëritura.
Lidhja me ski-jumping qëndron te rregulloret strikte për pajisjet sportive. Para nisjes së sezonit, atletët i nënshtrohen matjeve me skaner 3D, mbi bazën e të cilave përcaktohen përmasat e kostumit të garës. Çdo ndryshim në dimensionet trupore mund të lejojë përdorimin e një kostumi pak më të madh, me sipërfaqe më të gjerë, që gjeneron më shumë ngritje në ajër dhe, potencialisht, disa metra shtesë në fluturim. Ekspertët e biomekanikës theksojnë se edhe diferenca minimale në sipërfaqen e kostumit mund të ketë ndikim të ndjeshëm në performancë.
Nga ana tjetër, mjekët ngrenë alarmin për pasojat shëndetësore. Injektimi i acidit hialuronik në penis mund të sjellë dhimbje, deformime, infeksione, probleme serioze dhe mosfunksionim seksual. Në raste ekstreme, infeksionet mund të përhapen, duke shkaktuar nekrozë të indeve dhe rrezik real për humbjen e organit.
KOHA JONË SONDAZH

