Zv. presidenti i UEFA-s: Palët e treta kanë tentativa për të dëmtuar procesin!
Zëvendës presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis në prag të zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar një takim me kryeministrin Rama dhe kreun e FSHF-së Duka. Surkis u shpreh se ka pasur shqetësime në lidhje me përfshirjen e palëve të treta dhe se UEFA do ta monitorojë procesin zgjedhor.
Zgjedhjet në federatën shqiptare të futbollit janë kthyer në temën e ditës dhe ndërhyrja e mundshme e palëve të treta ka bërë që në Tiranë të zbresë zv.presidenti i UEFA-s Grigory Sukris.

“Delegacioni ynë erdhi në Shqipëri me një mision paqeje, sipas udhëzimeve që kemi marrë nga presidenti i UEFA-s, zoti Ceferin. U takuam me kryeministrin: ishte një ndeshje që zgjati 90 minuta, por nuk kaloi shtesë apo penallti. E dëgjuam njëri-tjetrin dhe kuptuam pozicionet e secilës palë.
Qëllimi i vizitës tonë lidhej me shqetësimin, pas sinjalizimeve që kemi marrë së fundmi rreth tentativave të palëve të treta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Synimi ynë është një dhe i vetëm: të nënvijëzojmë se duhen respektuar principet e UEFA-s, principi i demokracisë, i transparencës dhe i zgjedhjeve të lira. Principe të cilat nuk lejojnë ndërhyrjen e palëve të treta në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit”, tha Surkis.
Ndërkohë, Grigori Surkis kishte parashikuar mëngjesin e së enjtes edhe një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, por që kjo e fundit u anulua me shumë mundësi për shkak të tejkalimit të orarit në takimin e parë me kryeministrin Edi Rama. Fushata elektorale dy kandidatëve kryesore Armand Duka e Bashkim Fino po shkon drejt fundit dhe 7 shkurti, dita e gjykimit po afron gjithnjë e më shumë.
KOHA JONË SONDAZH

