Zv. Trajneri i Shqipërisë: Kumbulla do të rrezikonte te Juvja, më mirë Lazio ose Interi

Marash Kumbulla vijon që të mbetet në qendër të merkatos në Itali. Super talenti shqiptar ka arritur që t’i bindë të gjithë me aftësitë e tij, duke tërhequr edhe vëmendjen e disa prej skuadrave më të mëdha në Itali dhe në Europë. Zëvendës-trajneri i Kombëtares, Sergio Porrini, në një intervistë të dhënë për “TuttoJuve”, ka folur për mbrojtësin shqiptar, duke thënë se më e mira për të do ishte të kalonte te Lacio ose Inter sesa te Juventusi, për shkak të konkurrencës më të vogël që do kishte.

“Ne nisëm ta ndiqnim atë që në fillim të sezonit, kur e pamë që Juriç po e aktivizonte rregullisht, krijuam edhe një ide të qartë për të, i cili na la përshtypje shumë të mira. Pikërisht duke parë paraqitjet e mira, ne vendosëm ta grumbullonim atë te ekipi i parë kombëtar, ku ai bëri edhe debutimin e tij.

Ai është një djalë me perspektivë të madhe, shpresoj që ai të vazhdojë të bëjë mirë te Verona. Unë nuk jam i befasuar që shumë ekipe të mëdha po e kërkojnë atë për cilësitë që ka. Edhe pse ai është vetëm 20 vjeç, po dëshmon se është një mbrojtës i shkëlqyer. Është akoma shumë shpejt për të thënë nëse Kumbulla mund të luajë në një klub të madh. Shpresoj se këto thashetheme nuk do ta shpërqendrojnë.

Këtë vit ai është duke u shprehur shumë mirë në mbrojtjen me tre, ai ka luajtur në qendër po ashtu edhe në krahët e kësaj mbrojtjeje me 3. Është e vështirë t’i përgjigjesh pyetjeje nëse mund të luajë në mbrojtjen me 4, pasi ende nuk kemi parë të luajë me këtë skemë. Asnjëherë nuk është e lehtë të përshtatesh me një sistem loje të ndryshme.

Personalisht në këto momente unë do ta shikoja më mirë mbrojtësin te Interi ose te Lacio, pasi do të kishte më pak konkurrencë. Te Juventusi për mendimin tim ai do të rrezikonte pak, pasi rasti konkret është ai i Ruganit. Kumbulla gjithsesi e ka potencialin për të luajtur në një ekip të madh”, deklaroi Porrini.

SHKARKO APP