ZYRTARE/ Anglia “blindon” trajnerin Thomas Tuchel deri në vitin 2028
Thomas Tuchel do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren e Anglisë deri në UEFA EURO 2028, turne që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Federata Angleze e Futbollit ka konfirmuar zgjatjen e kontratës së teknikut gjerman me dy vite të tjera, pasi ai udhëhoqi “Tre Luanët” drejt një kualifikimi historik për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.
Nën drejtimin e Tuchel, Anglia e mbylli fushatën kualifikuese pa asnjë humbje dhe pa pësuar asnjë gol, duke realizuar plot 20 gola. Përfaqësuesja angleze vijon të jetë në mesin e pesë kombëtareve më të mira në renditjen botërore, pozicion që e mban prej shtatë vitesh e gjysmë.
Rinovimi i kontratës përfshin edhe stafin teknik të Tuchel. Asistentët Anthony Barry, Henrique Hilário, Nico Mayer dhe James Melbourne kanë firmosur gjithashtu marrëveshje të reja deri në verën e vitit 2028, duke garantuar vazhdimësi dhe stabilitet në projektin afatgjatë të kombëtares.
Federata thekson se këto marrëveshje do të sigurojnë qartësi dhe përqendrim maksimal përpara Botërorit të kësaj vere, ndërsa menjëherë pas tij Anglia do të rikthehet në aksion në UEFA Nations League, me shortin që do të hidhet sot (e enjte, 12 shkurt) në Bruksel.
KOHA JONË SONDAZH

