ZYRTARE/ Tottenham largon trajnerin Frank pas humbjes ndaj Newcastle
Aventura e Thomas Frank në stolin e Tottenham ka marrë fund më shpejt nga sa pritej. Pas humbjes në shtëpi ndaj Newcastle, drejtuesit e klubit londinez kanë vendosur të shkarkojnë trajnerin danez.
Spurs aktualisht renditen në vendin e 16-të në Premier League, me vetëm 5 pikë më shumë se zona e rënies nga kategoria. As paraqitja shumë e mirë në fazën e grupeve të Champions League, ku Tottenham u rendit në vendin e katërt, nuk mjaftoi për të shpëtuar pankinën e Frank, i cili ishte emëruar vetëm verën e kaluar.
Në njoftimin zyrtar, klubi konfirmoi ndarjen me teknikun:
“Klubi ka vendosur të bëjë një ndryshim në pozicionin e trajnerit të skuadrës së parë dhe Thomas Frank do të largohet nga detyra duke nisur nga sot. Thomas u emërua në qershor 2025 dhe ishim të vendosur t’i jepnim kohën dhe mbështetjen e nevojshme për të ndërtuar të ardhmen së bashku. Megjithatë, rezultatet dhe paraqitjet kanë bërë që Bordi të arrijë në përfundimin se në këtë fazë të sezonit është i nevojshëm një ndryshim. Gjatë gjithë kohës së tij në klub, Thomas ka treguar përkushtim të palëkundur, duke dhënë maksimumin për të çuar përpara Tottenhamin. E falënderojmë për kontributin dhe i urojmë suksese në të ardhmen”.
Tottenham pritet të njoftojë së shpejti emrin e trajnerit të ri, në një moment delikat të sezonit, ku objektivi kryesor mbetet sigurimi i mbijetesës dhe stabilitetit në kampionat.
KOHA JONË SONDAZH

