Kanabisi, 11 policë nën hetim; Zbardhen lidhjet me…

Vettingu në Polici ka jep shenjat e para. 11 efektivë të Drejtorisë së Policisë së Vlorës janë nën hetim pasi dyshohen për favorizim të kultivimit të lëndëve narkotike. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj, foli pas takimit të task-forcës kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Tre efektivë të policisë së Vlorës janë përjashtuar dhe 11 të tjerë janë nën hetim për favorizim të kultivimit të kanabis sativës përmes veprimeve apo mos veprimeve në zonat ku ishin përgjegjës.

”Këta punonjës policie janë punonjës që gjatë analizave që kemi bërë kemi nxjerrë përgjegjësitë e tyre që ata mund të kishin bërë punën më mirë dhe ato raste që u konstatuan si rezultat i bashkëpunimit me institucione të tjera mund të ishin raste që ata duhet të kishin dhënë informacion. Janë tre raste që nga hetimet disiplinore ka rezultuar se kanë pasur shkelje të cilat është gjykuar përjashtimi i tyre nga policia. Nuk muhd të them se kanë qenë të përfshirë në kultivim por kanë bërë shkelje disiplinore të cilat përcaktojnë përjashtimin e tyre nga policia”.

Këto të dhëna, të konfirmuara nga drejtori i Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj, nuk përfshijnë tre efektivët tashmë në kërkim në kuadër të asaj që njihet si dosja ”Habilaj”.

Para një muaji nga Vlora Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kritikoi strukturat e policisë së qytetit bregdetar për zbulueshmëri të ulët të ngjarjeve me prapavijë kriminale. Vlora vijon ende të jetë një prej zonave të nxehta të prodhimit dhe trafikut të kanabisit.

”Gjatë 2017 rastet e konstatuara për kultivim të bimëve narkotike, janë 72 herë më pak bimë të konstatuara se në 2016. Në të gjithë rastet që është konstatuar kultivim nga ana jonë janë bërë analiza, janë nxjerrë përgjegjësitë dhe janë marrë masa për punonjësit e policisë që me dashje apo pa dashje nuk kanë bërë detyrën si duhet”,-shtoi më tej Shehaj.

Përballë faktit se shpesh herë, personat e arrestuar për lidhje me trafikun e drogës, fitojnë lirinë shumë shpejt, kreu i policisë së Vlorës, thotë se vartësit e tij veprojnë nën drejtimin e prokurorisë.

Të mbledhur në prag të nisjes së sezonit të mbjelljes, anëtarët e task-forcës antikanabis në qarkun e Vlorës, kërkuan nevojën e një bashkëpunimi më të mirë në kontrollin e territorit, me synim nxjerrjen e vendit nga harta e kultivimit të bimëve narkotike.

SHKARKO APP