1 mln dollar për thyrjen e kodeve të Iphone
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, tha se kjo agjenci pagoi më shumë se 1 milion dollarë për programin që bëri të mundur të hapej celulari iphone i terroristit të armatosur në San Bernardino të Kalifornisë. Comey nuk komentoi nëse nga telefoni ishte nxjerrë ndonjë informacion i dobishëm.
Duke folur dje në një takim mbi sigurinë në Londër, drejtori i FBI-së James Comey tha se edhe pse çështja gjyqësore për të detyruar firmën Apple që të thyente kodin dhe të hynte në telefonin në fjalë u mbyll, diskutimi mbi privatësinë dhe sigurinë publike duhet të vazhdojë.
“Ata duhet të vazhdojnë të flasin për këtë, sepse ne kemi një problem, ne ndajmë një sërë vlerash brenda të cilave ka një konflikt, prandaj na duhet të gjejmë se si ta zgjidhim çështjen e privatësisë dhe sigurisë në internet dhe në pajisjet tona elektronike me atë të sigurisë publike. Këto krijojnë konflikt në rastet e terrorizmit dhe në të vërtetë kjo është edhe puna me të cilën merret FBI-ja. Unë nuk e di saktësisht se cila është përgjigjja, por ne kemi nevojë për një përgjigje.”
Zoti Comey nuk komentoi nëse nga telefoni ishte nxjerrë ndonjë informacion i dobishëm. Fjala është për celularin e njërit prej dy personave të dyshuar në sulmin terrorist të dhjetorit në Kaliforni, ku u vranë 14 persona. Shefi i FBI-së tha se hetimi vazhdon, pa dhënë hollësi.