Sokol Sadushi: Drejtësia, shtylla e shtetit të së drejtës

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka mbajtur fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor.

Sadushi, ndër të tjera, theksoi se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje dhe e denjë në raport me qytetarin.

Fjala e plotë e Sokol Sadushit: 

Swiss Digital Desktop Reklama

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hapim vitin gjyqësor në këtë sallë të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Sot nuk po vijojmë një traditë, por po e krijojmë atë. Është kuptimplotë që ky hap ndërmerret pikërisht këtu, ku shqyrtohen çështje me rëndësi të veçantë dhe ku, përmes interpretimit dhe njësimit të praktikës, forcohet koherenca dhe rritet parashikueshmëria e ligjit. Prania juaj sot e nderon Gjykatën e Lartë dhe i jep peshën e duhur këtij momenti.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një kuptim më të gjerë, drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi.

Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.

Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi.

Në këtë frymë, i drejtohemi njëkohësisht qytetarëve, profesionistëve të ligjit dhe institucioneve të Republikës, jo për të komentuar çështje konkrete, por për të riafirmuar parimet që duhet të udhëheqin drejtësinë. Që në fillim duhet ta themi qartë. Ky është një angazhim publik, i thjeshtë në formulim, por thelbësor në përmbajtje. Drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin.

Këtë angazhim e pasqyron edhe tema që kemi zgjedhur për këtë ceremoni: “Drejtësia përballë pavarësisë, përgjegjësisë dhe besimit publik”, që në thelb, është një thirrje për ndërgjegjësim. Këto nuk janë fjalë për t’u thënë një herë në vit, por janë parime që duhen respektuar çdo ditë, në mënyrën se si e ushtrojmë drejtësinë. Ato janë busulla, me të cilën qytetarët matin drejtësinë dhe njëkohësisht drejtësia duhet ta masë veten.

Prania sot këtu e Presidentit të Republikës, drejtuesve të institucioneve kushtetuese, ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, përçon një mesazh të rëndësishëm se drejtësia nuk është çështje e një institucioni të vetëm apo e një pushteti të vetëm. Ajo është një shtyllë e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë për të duhet ta mbajmë të gjithë.

Në një shtet demokratik, ndarja dhe balanca e pushteteve nuk është thjesht parim abstrakt, por një mekanizëm sigurie për liritë dhe të drejtat, ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm, që të garantojë paanësinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave. Vlera e këtij mekanizmi kuptohet më qartë pikërisht në përvojën e përditshme të qytetarit me drejtësinë.

Besimi i qytetarit tek shteti, rrallë nis me deklarata. Zakonisht nis në sallën e gjyqit, kur një person sjell një konflikt dhe pret të dëgjohet me paanësi, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Në këtë kuptim, gjykatat jo vetëm zbatojnë ligjin, por tregojnë nëse të drejtat mbrohen, nëse abuzimet korrigjohen dhe nëse ligjshmëria është më shumë se një aspiratë. Për shumicën e qytetarëve, drejtësia është kontakti më i drejtpërdrejtë me shtetin. Aty besimi forcohet ose dobësohet. Kjo varet, mbi të gjitha, nga profesionalizmi, etika dhe standardi i punës së përditshme në drejtësi.

Në këtë ditë të veçantë, shpreh vlerësimin dhe respektin për të gjithë ata, që e mbajnë drejtësinë mbi shpatulla çdo ditë: gjyqtarët, prokurorët, avokatët, por edhe ndihmësit ligjorë, sekretaritë dhe administratën gjyqësore, puna e të cilëve shpesh mbetet e padukshme, por pa të cilët asnjë gjykatë nuk mund të funksionojë. Drejtësia është një përpjekje njerëzore e vazhdueshme për disiplinë, profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe qëndrueshmëri.

Kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet. Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim.

Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave. Prandaj drejtësia matet jo vetëm me cilësinë e vendimit përfundimtar, por edhe me rrugën për ta arritur atë. Drejtësia e pavarur nuk vendos për të kënaqur askënd. Ajo vendos për të respektuar ligjin dhe për t’u dhënë kuptim të drejtave.

Nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme. Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje. Ajo është cilësi e vendimmarrjes, seriozitet në punë, respekt në sallën e gjykimit, disiplinë profesionale dhe kujdes për kohën e arsyeshme. Mbi të gjitha, përgjegjësia kërkon arsyetim të qartë, sepse arsyetimi është ura më e forte, që lidh gjykatën me qytetarin. Qytetari mund të mos pajtohet me vendimin, por nuk duhet të mbetet pa e kuptuar atë.

Një shoqëri moderne pret nga drejtësia standard të lartë: ndershmëri, qartësi dhe qëndrueshmëri. Kjo matet me elementë konkretë: a janë vendimet të kuptueshme? a janë të arsyetuara me standard? a trajtohen rastet e ngjashme në mënyrë të njëjtë? a respektohet dinjiteti i palëve? a garantohet realisht barazia përpara ligjit? Pikërisht këto janë pyetjet që shtrohen përditë.

Në këtë kuptim, pavarësia dhe përgjegjshmëria, dy shtyllat themelore të drejtësisë, çojnë natyrshëm te çështja më e ndjeshme, besimi publik. Ky besim nuk kërkohet, por fitohet. Komunikimi ndihmon, por pesha vendimtare është përvoja konkrete e qytetarit me drejtësinë, vendim pas vendimi, sjellje pas sjelljeje, standard pas standardi. Kur besimi rrënohet, rindërtimi i tij është i vështirë, por kur ndërtohet, ai bëhet themeli i sigurisë juridike, i stabilitetit shoqëror dhe i vetë shtetit të së drejtës.

Për këtë arsye, për vitin gjyqësor që hapim sot, angazhimi ynë duhet të jetë i dukshëm në disa drejtime që e prekin drejtpërdrejt besimin e publikut.

Së pari, qartësia dhe cilësia e arsyetimit: kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë edhe kur nuk është dakord me të. Kur është i paqartë, atëherë humbet jo vetëm çështja, por edhe besimi. Prandaj, standardi ynë nuk duhet të jetë vetëm “të vendosim”, por “të shpjegojmë pse vendosim në atë mënyrë”.

Së dyti, koha e arsyeshme: drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta.

Së treti, koherenca dhe parashikueshmëria. Një nga pritshmëritë më të forta të qytetarëve dhe të komunitetit juridik është që ligji të jetë i parashikueshëm. Ligji nuk kufizohet vetëm në normat e së drejtës. Ai merr kuptim edhe nëpërmjet interpretimit gjyqësor. Kur për raste të ngjashme jepen zgjidhje të ndryshme, krijohet pasiguri dhe cenohet besimi. Prandaj publikimi sistematik i praktikës gjyqësore, databazat e përdorshme dhe roli njësues i Gjykatës së Lartë nuk janë thjesht çështje profesionale. Ato janë çështje të sigurisë juridike dhe të besimit në drejtësi.

Këto objektiva nuk arrihen vetëm përmes vendimmarrjes gjyqësore. Ato kërkojnë funksionimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, sepse cilësia e tij varet nga bashkëveprimi institucional, ku secili aktor mban përgjegjësinë e vet.

Në këtë kuptim, prokuroria ka rol vendimtar për interesin publik dhe për mbrojtjen e ligjshmërisë. Cilësia e hetimit, maturia e kërkesave, proporcionaliteti i masave dhe respektimi i garancive procedurale, ndikojnë jo vetëm në rezultatin e çështjeve, por edhe në perceptimin e procesit si të drejtë. Për këtë kontribut, vlerësimi ynë është i qartë, së bashku me pritshmërinë që standardi profesional dhe rigoroziteti procedural të ngrihen vazhdimisht. Po aq i domosdoshëm është roli i avokatisë, si shtyllë e procesit të rregullt ligjor. Ajo e bën reale të drejtën e mbrojtjes, e forcon kontradiktoritetin dhe siguron që barazia e armëve të jetë praktikë, jo vetëm parim. Edhe këtu, Gjykata e vlerëson punën dhe e nxit avokatinë që etika dhe cilësia e përfaqësimit të jenë gjithnjë në lartësinë e besimit publik. Kur secili aktor e ushtron rolin e vet me profesionalizëm dhe etikë, procesi bëhet më i drejtë, më i qartë dhe më i besueshëm.

Pikërisht për këtë arsye, këto sfida nuk mund të përballohen nga një institucion i vetëm. Ato arrihen përmes bashkëpunimit, jo konkurrencës, përmes respektit institucional, jo mosbesimit, përmes kulturës së argumentit, jo etiketimit. Ky moment shërben edhe si ftesë për dialog institucional të shëndetshëm, brenda kufijve të Kushtetutës dhe me interesin publik në qendër.

Në këtë kuadër, i drejtohem pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ me respekt institucional dhe në frymën e bashkëpunimit kushtetues. Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar. Për ta bërë këtë mbështetje reale, nevojiten financim i mjaftueshëm, politika të qëndrueshme për burimet njerëzore, programe infrastrukture dhe investime serioze në digjitalizim e siguri. Një shtet që kërkon drejtësi të fortë duhet të investojë në institucione të forta; përndryshe pavarësia mbetet vetëm një normë e shkruar, pa u bërë një garanci reale.

Brenda vetë sistemit, këshillat e qeverisjes kanë rol qendror në meritokraci, performancë dhe integritet. Emërimet, vlerësimet, përgjegjësia disiplinore dhe menaxhimi i burimeve ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e drejtësisë. Ruajtja e meritokracisë dhe përgjegjësia në qeverisje duhet të jenë busull e përhershme, sepse standardi i drejtësisë nuk prodhohet nga një hallkë e vetme, por nga funksionimi i të gjithë zinxhirit.

Në këtë panoramë, përgjegjësia nis edhe nga vetja jonë. Parimet e sipërpërmendura janë standard, që u takojnë të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, por provohen më qartë në gjykatë, aty ku vendimi merret dhe arsyetohet. Gjyqtarët, në të gjitha nivelet, mbajnë barrën më të dukshme të pavarësisë në vendimmarrje, të përgjegjësisë në arsyetim dhe të respektit në proces. Çdo vendim dhe çdo arsyetim formëson mënyrën si qytetari e percepton drejtësinë dhe, përmes saj, edhe vetë shtetin.

Në këtë kuadër, Gjykata e Lartë ka një rol të veçantë që të kontribuojë në koherencën dhe parashikueshmërinë e interpretimit të ligjit dhe të shërbejë si model i standardit të arsyetimit. Nëse ky rol ushtrohet me qëndrueshmëri, besimi i publikut forcohet gradualisht dhe siguria juridike bëhet më e prekshme.

Së fundi, fjala ime shkon për qytetarët. Drejtësia ekziston për ju. Pritshmëritë për shpejtësi, paanësi, integritet dhe trajtim të barabartë janë plotësisht legjitime dhe duhet të udhëheqin përgjegjësinë tonë institucionale çdo ditë. Në të njëjtën kohë, drejtësia ka nevojë edhe për mbështetjen tuaj qytetare: respekt për institucionet, refuzim të çdo forme intimidimi apo ndikimi të paligjshëm dhe besim te procedura ligjore, jo te presioni, ndërhyrjet apo rrugët anësore. Drejtësia funksionon kur ligji respektohet nga të gjithë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kjo traditë që nisim sot duhet të jetë e qëndrueshme në kohë, jo si ritual i përsëritur, por si një angazhim që forcohet çdo vit. Kjo ceremoni e parë është një pakt besimi i drejtësisë me shoqërinë: pavarësi në vendimmarrje, përgjegjësi në standard dhe respekt për qytetarin. Ajo na kujton se drejtësia nuk është e fortë vetëm kur është e pavarur, por kur është edhe e përgjegjshme; jo vetëm kur vendos, por kur arsyeton; jo vetëm kur gjykon, por kur dëgjon; jo vetëm kur ka autoritet, por kur e ushtron me masë, me etikë dhe me ndjeshmëri.

Ne kemi arsye të jemi realistë, sepse sfidat janë konkrete dhe kërkojnë punë të përditshme. Kemi, gjithashtu, arsye të jemi optimistë, sepse çdo hap drejt cilësisë, çdo hap drejt koherencës, çdo hap drejt transparencës është hap drejt besimit. Ky është themeli, që e mban drejtësinë të qëndrueshme, të gjallë si institucion dhe si pritshmëri legjitime e qytetarëve.

Me këtë optimizëm, kam nderin dhe kënaqësinë të shpall të hapur Vitin Gjyqësor 2026, duke uruar që të jetë një vit i standardit, i bashkëpunimit institucional dhe i besimit, që ndërtohet me punë të ndershme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?