A do t’i ndalojë edhe Italia rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç?
Alarmi për përdorimin e tepruar të teknologjisë tek të rinjtë po rritet në Itali, ku shifrat e reja tregojnë se problemi është më i përhapur nga sa mendohej më parë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, rreth 100,000 të rinj të moshës 15–18 vjeç janë në rrezik të varësisë nga mediat sociale.
Gjysmë milioni të tjerë vuajnë nga çrregullimi i lojërave — një varësi kompulsive ndaj lojërave online, e njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si gjendje mjekësore që nga viti 2019.
Një studim i Shoqatës së Paralajmërimit Social zbuloi se 77% e adoleshentëve italianë e konsiderojnë veten të varur nga pajisjet dixhitale, megjithatë shumë prej tyre ndihen të pasigurt ose nuk kanë mbështetje për të ndryshuar sjelljen.
Varësia dixhitale është bërë shqetësim në rritje në Evropë dhe më gjerë, duke nxitur debate mbi përgjegjësinë e kompanive teknologjike, prindërve dhe qeverive për mbrojtjen e të miturve në internet. Organizata “Con i Bambini”, pjesë e Fondit Kombëtar për Luftimin e Varfërisë Arsimore tek Fëmijët, ka monitoruar fenomenin dhe ka financuar mbi 800 projekte në të gjithë vendin.
Sipas një studimi të organizatës, varfëria arsimore dhe marrëdhëniet e dobëta familjare janë ndër shkaqet kryesore të varësisë dixhitale.
“Pothuajse 75% e adoleshentëve që jetojnë në izolim dhe janë të varur nga rrjetet sociale dhe lojërat kanë marrëdhënie të shtrembëruara, jofunksionale ose të munguar me prindërit e tyre,” tha Simona Rotondi, drejtuese e aktiviteteve institucionale në ‘Con i Bambini’.
Çështja po diskutohet edhe në nivel ndërkombëtar. Nëntorin e kaluar, Parlamenti Europian kërkoi që mosha minimale për përdorimin e platformave sociale të jetë 16 vjeç. Franca po shqyrton ligje për ndalimin e përdorimit nga personat nën 15 vjeç, ndërsa Spanja ka iniciativë të ngjashme.
“Pajisja legjislative është e nevojshme, por nuk mjafton për të ndryshuar kulturën familjare dhe sjelljen e fëmijëve,” theksoi Rotondi.
“Sfida është edukative. Nuk duhet të fokusohemi në mbylljen e dixhitalit, por në hapjen ndaj jetës dhe rilidhjen e fëmijëve me komunitetin,” shtoi ajo.
Prindërit janë ndër grupet më të shqetësuara. Një anketë e kryer nga Instituti Demopolis tregon se 83% e të rriturve italianë frikësohen nga varësia e adoleshentëve ndaj telefonave inteligjentë, tabletëve dhe internetit.
“Jemi të shqetësuar, por nuk mund t’ua heqim telefonin fëmijëve; nuk dimë si ta bëjmë. Institucionet dhe shkollat duhet të na ndihmojnë,” tha një prind.
Edhe të rinjtë vetë po bëhen më të ndërgjegjshëm.
“Lexojmë më pak lajme, informohemi nga mediat sociale. Nuk mund t’i parandalojmë ato, por duhet të mësojmë përdorimin e tyre me vetëdije. Parandalimi është më efektiv se shtypja,” tha një vajzë për Euronews Next.
KOHA JONË SONDAZH

