AMC dhe Deutsche Telekom, konkurs kombëtar për ide novatore
Zhvillimet teknologjike në Shqipëri tashmë mund të vijnë edhe nga vetë publiku. Personat me shpirt sipërmarrësi ose ekipet e guximshme që kanë në mendje zgjidhje ose aplikacione për celularë kanë mundësinë t’i bëjnë ato realitet. Këtë mënyrë të re konkurrimi në tregun e telekomunikacionit e sjell pikërisht Konkursi i Inovacionit AMC-Deutsche Telekom.
AMC, në kuadër edhe të Javës së Inovacionit të organizuar nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, mirëpret ide që mund të përmirësojnë shoqërinë tonë dhe njëkohësisht mund të bëhen pjesë e produkteve dhe shërbimeve të kësaj kompanie. Konkursi është i hapur për individë, biznese të reja ose kompani në Shqipëri që kanë një ide apo projekt teknologjik dhe janë të gatshëm ta zhvillojnë e ta hedhin në treg.
Partnerë në këtë sipërmarrje të veçantë janë Intel dhe Cisco, të cilët do të jenë pjesë e të gjithë programit.
Aplikimet janë të hapura deri më 10 maj. Dhjetë idetë më të mira do të përzgjidhen nga një juri me përfaqësues të AMC, Deutsche Telekom, Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Cisco, dhe Intel. Projektet e përzgjedhura do të prezantohen më 13 maj dhe projektit më të mirë për tregun shqiptar do t’i akordohen burime në vlerë prej 5.000 USD. Këto burime do të shërbejnë për të zhvilluar idenë dhe përfshijnë pajisje, programe, akses në infrastrukturën e AMC dhe ekspertizë profesionale.
Individët ose grupet e individëve me ide novatore mund të vizitojnë www.challengeup.eu/albania dhe të bëhen pjesë e modernizimit. Idetë përparimtare do të rezultojnë në partneritet afatgjatë, ndaj AMC dhe Deutsche Telekom ftojnë të gjithë të interesuarit në një botë me mundësi të pafundme.