AMC dhe Deutsche Telekom shpall fituesin e “Konkursit të Inovacionit”

 

10 nga 45 projekte do të vijojnë garën në nivel Europian. Konkurrojnë në  Challenge Up, që zhvillohet çdo vit nga Deutsche Telekom dhe Hub:raum

AMC dhe Deutsche Telekom shpallin fituesin e “Konkursit të Inovacionit”, përzgjedhur ndër 45 aplikimet e bëra në kuadër Javës së Inovacionit. Një juri ekspertësh e përbërë nga përfaqësues të AMC, Deutsche Telekom, Ministrisë së  Inovacionit dhe Administratës Publike, si dhe kompanive Cisco dhe Intel vlerësuan si më të mirën idenë “BDF Health”. Ky projekt është krijuar nga katër inovatorë të rinj, me qëllim pakësimin e stresit dhe lodhjes pas orëve të gjata të punës apo studimit. Juria zgjodhi dhe 10 projektet më të mira të cilat do të vazhdojnë më tej në konkurimin në  Challenge Up, që zhvillohet çdo vit nga Deutsche Telekom dhe Hub:raum. Aplikuesit e pranishëm paraqitën idetë e tyre, që synojnë ofrimin e aplikimeve inovative në shërbim të shoqërisë. “Aftësia jonë për t’iu përshtatur vazhdimisht nevojave të tregut dhe kërkesave të reja të abonentëve është siguri për progresin tonë dhe njëkohësisht angazhim për të sjellë inovacion në treg. Zhvillimet e reja mund të vijnë nga SHBA apo nga Gjermania, por mund të lindin edhe në Shqipëri.” u shpreh zoti Dimitris Blatsios, Drejtori Ekzekutiv i AMC. “Sot sjellim para jush një konkurs, ku kemi ftuar të bashkëpunojnë me ne gjithë mendjet kreative të vendit. Si rezultat do të kemi një produkt të ri, i cili do të çojë përpara teknologjinë dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve. AMC dhe Deutsche Telekom besojnë tek idetë dhe talentet e reja në Shqipëri” theksoi zoti Blatsios. Ministrja e Inovacionit, Znj. Milena Harito gjatë përshëndetjes për aplikuesit vlerësoi bashkëpunimin me AMC dhe Deutsche Telekom. “Është veçanërisht kënaqësi të jemi këtu sot, sepse aktivitetet që kanë të bëjnë me kompetitivitetin e të rinjve në fushën e inovacionit janë ato që janë njëkohësisht më interesantet, më të vështirat, por edhe më të rëndësishmet. Ju jeni prova më e mirë, kompeticionet si ky janë prova më e mirë që ky zhvillim i shoqërisë është duke ndodhur”,- tha ministrja Harito. Fituesi i sotëm i “Konkursit të Inovacionit” do të bashkëpunojë me specialistët e AMC dhe Deutsche Telekom dhe ideja do të konkretizohet me produktin përfundimtar, të cilin AMC do ta hedhë në tregun shqiptar. Por vazhdimi i këtij konkurrimi në shkallë ndërkombëtare është edhe më interesant: inovacionet më të mira shqiptare do të ballafaqohen me projektet më të mira të dërguara nga gjithë vendet europiane ku operon Grupi Deutsche Telekom. Prezantimet e projekteve pjesëmarrëse janë ndjekur me vëmendje nga ekspertët e Deutsche Telekom dhe Hub:raum, dhe janë vlerësuar për risitë që sjellin. “Kemi parë ide që janë tërësisht inovative dhe të vlefshme për shoqërinë. Nëse arrini të kuptoni kërkesat e tregut dhe t`i potësoni nëpërmjet aplikacioneve tuaja, ju garantoj që do të keni sukses. Ne nxisim dhe përqafojmë çdo nismë që i shërben shoqërisë, grupeve të veçanta të saj apo dhe biznesit“, – tha Luka Sucic, Manaxher i Investimeve në Hub:raum Krakov. “BDF Health”, i zgjedhur si projekti më i mirë, u paraqit nga Alesia Kuqo, Egi Beqollari, Luena Golemi dhe Ledion Dyrmishi. Këtij grupi iu akordua mbështetje me burime që kapin vlerën 5.000 USD. Këto burime do të shërbejnë për të zhvilluar idenë deri në hedhjen e saj në treg, dhe përfshijnë pajisje, programe, akses në insfrastrukturën e AMC dhe ekspertizë profesionale.

SHKARKO APP