Aplikacioni që kontrollon lëvizjet e grave, po revolton mbarë botën!
Keni dëgjuar ndonjëherë për aplikacionin Absher? Me siguri jo, por po jua përmbledhim me pak fjalë.
Absher është një aplikacion që shkarkohet në smartphone i cili lejon qytetarët dhe rezidentët e Arabisë Saudite të përdorin një sërë shërbimesh zyrtare. Ky opsion përmban rreth 160 shërbime ku përfshihen rinovimi i pasaportës, i kartave të identitetit dhe ndër të tjera, i jep mundësinë burrave arab të gjurmojnë vendodhjen e grave kur udhëtojnë dhe jo vetëm.
Diçka e tillë ka ndezur diskutime dhe kritika të shumta, në të gjithë botën. Kompanitë gjigante si Apple dhe Google janë akuzuar si mbështetësit kryesore që thellojnë diskriminimet gjinore në Arabinë Saudite duke i ndihmuar burrat të kontrollojnë gratë apo t’i ndalojnë ato të lënë vendin.
Si Google Play ashtu edhe iTunes e kanë pjesë të tyren Absher, një aplikacion që mes të tjerave u jep akses burrave të dinë specifikisht në kohë reale kur një grua kalon kufinjtë e vendit. Në këtë moment, në telefonin e tyre vjen një sms informuese.
Përveç informacionit të detajuar, ata vendosin numrin e udhëtimeve që një grua mund të bëjë apo sa larg i lejohet asaj të shkojë. Nëse një burrë nuk është dakord me udhëtimin, ka të drejtë ta anullojë fluturimin e saj.
Kjo në shumë vende të botës konsiderohet si shkelje e rëndë e të drejtave të grave, por ende asnjëra prej kompanive nuk kanë një përgjigje ndaj akuzave.
Përveç kësaj, kompanive u është kërkuar të ndalohet përdorimi i këtij opsioni në të ardhmen pasi si qëllim ka të dëmtojë lirinë e një gruaje.
Një aplikacion i tillë konsiderohet si abuzim ndaj të drejtave të tyre dhe sipas kritikëve vendet perëndimore duhet të jenë të parat që t’i dënojnë platforma të tilla.
Në Perëndim, teknologjitë krijohen për të përmirësuar jetesën, ndërkohë që në Arabinë Saudite përdoren për të thelluar edhe më pabarazinë gjinore.