Apple rrit çmimet dhe ekranet – Prezanton XS, XS Max dhe XR, Apple Watch regjistron EKG

Apple prezantoi iPhone-in më të madh që  ekziston dhe orën e re që monitoron problemet e zemrës, duke u përpjekur që të bindë konsumatorët që të blejnë aparate më të shtrenjta, ndërkohë që kërkesa botërore për smartphone është ngadalësuar. Ndryshimet e vogla në linjën e telefonave, pas prezantimit të iPhone 10 vitin e kaluar,  priteshin gjerësisht nga investitorët dhe vlera në treg e kompanisë ra me 1.2% në 221 dollarë për aksion.

Strategjia e Apple ka qenë deri më tani e suksesshme, gjë që ka nxitur aksionet e kompanisë me 30% vetëm për këtë vit, duke e kthyer në kompaninë e parë që prek vlerën e 1 trilionë dollarëve. iPhone i ri XS ka një ekran prej 14.7 cm (5.8 inch) dhe do të nis me një çmim prej 999 dollarë. Produkti tjetër XS Max, që është iPhone më i madh që ka ekzistuar, ka një ekran prej 16.5 cm  apo 6.5 inch, më të madh se Samsung Note 9, dhe do të nisë në 1,099 dollarë.

Sipas analistëve, ekrani më i madh do t’i ndihmojë që të rrisin shitjet në Kinë, pasi kanë humbur pjesë tregu gjatë viteve të fundit, pjesërisht prej përmasave të ekranit.   Ndërkohë që ndjesia e konsumatorëve rezultoi mikse, një detaj që tërhoqi vëmendje ishte çmimi i lartë, duke e bërë shënjestër për kritika.  Apple prezantoi gjithashtu iPhone XR me ekran 15.5 cm apo 6.1 inch të përbërë me alumin, që nis nga 749 dollarë. Tre iphone-t e prezantuar këtë vit janë më të shtrenjtë se të gjithë modelet e vitit të kaluar. Ndërkohë që dy prej tyre nisin sipër 999 dollarë në SHBA, Apple po synon që të përfitojë nga ekonomia e fortë në SHBA, papunësia e ulët dhe rritja e pasurisë së ekonomive familjare.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA, bëri të ditur se ka bashkëpunuar me Apple për të zhvilluar aplikacione për Apple Watch dhe ka lehtësuar mbikëqyrjen rregullatore për kompanitë që përpiqen të krijojnë produkte dixhitale të kujdesit shëndetësor. Apple Watch mund të regjistrojë një elektrokardiogramë për të monitoruar rrahjet e çrregullta të zemrës dhe të nisë një thirrje emergjencë në mënyrë automatike nëse një përdorues venitet.

SHKARKO APP