Apple sapo na tregoi vizionin që ka për të ardhmen
Teksa drejtuesit e Apple u ngjitën në skenë të hënën, për të shpallur gjënë më të fundit dhe më të mrekullueshme në botën e iOS dhe Mac, një gjë spikaste për të gjithë fansat e paepur të Apple: Mac Pro. Kompjuteri përbën Mac-un më të fuqishëm që është prodhuar ndonjëherë, me një çmim fillestar 6 mijë dollarë. Pothuaj mund të ndjeje brohorimën mes përdoruesve profesionistë të Apple.
Mund të jetë tunduese të mendosh se Apple vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj një të ardhmeje të segmentuar, ku Mac-ët do të jenë kuajt e punës për punë serioze dhe iPad dhe iPhone do të mbeten kryesisht pajisje të lëvizshme konsumi.
Por, shpallja më e rëndësishme nuk ishte një kompjuter, një ekran i ri i mrekullueshëm, apo edhe të rejat që do të ketë iPhone këtë vit: lajmi i vërtetë ishte iPadOS, një sistem operimi i posaçëm për iPad. Më shumë se sa thjeshtë një emër i ri, sistemi është prova se për Apple, iPad do të jetë e ardhmja e botës kompjuterike.
Jo se produktet e reja nuk ishin mbresëlënës. Ekrani i ri Pro Display XDR shfaqte disa tipare teknologjike shumë magjike, Mac Pro mund të jetë kompjuteri më i fuqishëm që është prodhuar ndonjëherë, dhe shumëllojshmëria e të rejave që do të vijnë në iPhone, Apple Ëatch dhe Mac të lë vërtetë pa mend.
Megjithatë, fokusimi në iPad-in e ri, ishte shumë i qëllimshëm. Në vend që të shtonte të reja në formën e një liste të gjatë, sistemi i ri i operimit, iPadOS synonte të ndryshonte atë që mund të bëhet me një tablet.
Tani, iPad mund të ketë dy dritare krah më krah në të njëjtin aplikacion – një kërkesë e zakonshme kjo, për të lëvizur gjërat për shembull ndërmjet dy aplikacioneve Office. Shfletuesi i internetit të iPad tani është një program desktop-i dhe jo celulari. Kështu, përdoruesit mund të përdorin Google Docs apo Slack. Shkurt është një përditësim për të sjellë iPad-in shumë më pranë funksionimit si një laptop, si dhe për të bërë qartë dallimin e tij nga një iPhone.
Në një kuptim, Apple i është përgjigjur pothuajse drejtpërsëdrejti kritikave të iPad Pro. Një pajisje e shtrenjtë, me një dizajn shumë të bukur, modeli më i ri u kritikua ashpër për mospajtueshmërinë mes çmimit të saj të lartë dhe atyre pak gjërave të kufizuara që mund të bësh me të.
Në një tjetër kuptim, nëpërmjet kësaj shpalljeje Apple na tregoi se si mendon që duhet të jetë kompjuteri në të ardhmen. Kur dëgjon ankesat e zakonshme nga përdoruesit, që thonë se vetëm një kompjuter i vërtetë mund të bëjë punë të vërtetë, ata bazohen zakonisht në një seri supozimesh – për shembull, që një mouse dhe një tastierë janë mënyra më efikase për të bërë punë digjitale, apo që një tablet mbetet një pajisje konsumi.
Ajo çfarë ka penguar deri më sot këtë vizion, ka qenë ndërtimi i një sistemi operimi pa kufizime, i cili është ndërtuar më shumë për një telefon celular. Por me krijimin e iPadOS, Apple sinjalizon se tableti nuk është më thjesht “një telefon i madh”, por një kategori më vete që mbulon më së miri gjithçka që mund të bësh me një kompjuter – që nga të parit e filmave apo mbajtja e shënimeve, deri tek shkrimi i dokumenteve apo përpunimi i fotografive apo filmimeve.
Ajo që Apple duket se po përpiqet të na sugjerojë, është se një tablet me një prekje dhe laps digjital nuk është thjesht pajisje për idenë e paqartë të “punës së vërtetë”, por më mirë se kaq. Jo vetëm që iPad-ët janë më të lehtë dhe më të vegjël se laptopët, ata kanë gjithashtu dhe një shumëllojshmëri sensorësh që janë unikë për pajisjet e lëvizshme: aftësia për të dalluar rrotullimin apo këndin, prekja, lapsi digjital, dhe në përgjithësi, një mënyrë e re më e prekshme për të ndërvepruar me punën tënde dhe përmbajtjen, të gjithë këto rezultojnë në një shumëllojshmëri gjërash që mund të bësh me një iPad.
Pikërisht ky funksionalitet i shumëfishtë e vendos iPad-in në të ardhmen e botës së kompjuterëve. Më shumë se sa thjesht një metodë e re, është fakti i thjeshtë që tableti mund të bëjë më tepër se sa laptopi. Dhe fakti që Apple gjithashtu po punon që të sjellë aplikacionet e iPad në kompjuterët Mac, sugjeron që Apple ka kuptuar se iPad-i është sot kryeqendra e zhvillimit të aplikacioneve interesante, dhe jo vetë Mac-u.
Kohët e fundit, analisti Benedict Evans shkruante se ka po aq iPad në treg, sa edhe laptopë konsumi. Në këtë kuptim, iPad-i ka fituar tashmë. Por tani, me shtimin e performancës dhe tipareve, iPad-i është ndoshta argumenti më i fortë se e ardhmja e kompjuterëve do të jetë e lidhur me touch-in, lëvizshmërinë, dhe pajisjet e lehta dhe të shpejta. Një Mac Pro i ri mund të shkaktojë brohoritje, por për shumicën prej nesh, iPad është në fakt “kompjuteri” më i fuqishëm.
The Week – Bota.al