Automatizimi do të zhdukë 10 mln vende pune brenda 15 vitesh

Nga John Harris (The Guardian)

Shumë njerëz mund të mos kenë dëgjuar aspak mbi firmën e shitjes me pakicë “Shop Direct”. Rrënjët e saj vijnë prej shumë larg, nga koha e blerjeve me katalog, e prej dy gjigantëve të asaj epoke, “Littlewoods” dhe “Great Universal Stores”.

Tashmë ajo është kompania mëmë pas firmës “online” të modës, “Very”, si dhe krijesës “Littlewoods.com”. Kaq informacion mund të duket si i parrezikshëm, por në dy zona të metropolit Greater Manchester në Britani, “Shop Direct” sapo është bërë i njohur.

Deri më tani, ajo që gjuha e përditshme korporative e quan si “shërbim i plotësuar”, me fjalë të tjera paketimi i prenotimeve për te njerëzit dhe kthimet, është trajtuar nga 3 vendndodhje të “Shop Direct”, në Chadderton dhe Shaw pranë Oldhamit, e në Little Hulton, rreth 4.8 km në jug të Boltonit.

Por, kompania planifikon tashmë t’ia transferojë këto detyra një “qendre shpërndarjeje dhe grumbullimi” prej mbi 46 mijë metrash katrorë, e gjitha e automatizuar, që ndodhet në një park në lindje të Midlands.

Periudha e konsultimeve të detyrueshme nis të martën dhe sindikata e shitësve “USDAW” apo politikanët lokalë janë thirrur nën armë. Nëse ky transferim kompletohet do të sjellë humbjen e plot 1.177 vendeve të punës me kohë të plotë, e sigurisht edhe 815 role administrative që kryhen aktualisht nga punonjës të agjencisë. Në vendin e ri do të ketë vende të lira pune për vetëm 500 persona.

Në një kohë kur shifrat e ulëta të papunësisë duket se “verbojnë” njerëzit përballë brishtësisë dhe pasigurisë së kaq shumë punëve, e gjithë historia duket si një flakë kashte mes erës së fuqishme; ndoshta shembulli më i shëmtuar që kemi parë deri më sot i epokës së automatizimit, si dhe shembull i shqetësimeve dhe dhimbjeve që ai kërcënon të sjellë.

Sa herë në një sistem kontrolli vetëshërbimi lëshon tingujt e alarmit për të sinjalizuar shprehjen e nënkuptuar se “një send i pakontrolluar ndodhet në shportë”, është edhe një tregues për të ardhmen. Ashtu sikurse edhe përkeqësimi i një sektori prodhimi, ku prodhuesit tentojnë të shfrytëzojnë mjediset me kosto të ulët jashtë vendit.

Por, pjesa më e madhe e valës së automatizimit në shitjet me pakicë dhe të ashtuquajturën logjistikë është e fshehur në qendrat gjithnjë e më të mëdha të shpërndarjes, sikurse edhe te departamentet e kërkim-zhvillimit të gjigantëve “online”.

Në mënyrë të paevitueshme, askush nga të punësuarit në këto kompani nuk ndihet i rehatshëm të flasë mbi një rënie të pashmangshme të të punësuarve humanë nëpër sektorët ku ata operojnë, por rritja e përshpejtuar e firmave individuale – ilustruar më së miri nga “Amazon” që punëson tashmë 500 mijë njerëz anembanë botës, nga 20 mijë që kishte një dekadë më parë, – u jep atyre disi shpresë.

Megjithatë, dëshmitë janë të qarta: shitblerja dhe trajtimi i produkteve po bëhet një punë gjithnjë e më pak intensive.

“Shitja me pakicë është një industri ku punësimi pritet të zhduket, sikurse ka ndodhur në prodhim, miniera dhe agrikulturë”, thotë Carl Benedikt Frey, specialist i automatizimit në “Oxford Martin School”. Në vitin 2017, një raport gjithëpërfshirës me Freyn bashkautor tregoi se 80 për qind e punëve në “transport, magazinim dhe logjistik” janë tepër të ndjeshëm tashmë ndaj automatizimit.

Në të dyja këto fusha të ndërlidhura, zëvendësimi i punës njerëzore nga teknologjia udhëhiqet nga e ashtuquajtura tregti “online”, që e zhvendos shitjen me pakicë nga qytetet dhe qendrat e qyteteve, drejt hapësirave të mëdha ku makineritë mund të kujdesen për magazinim dhe paketim. Në Britaninë e Madhe veçanërisht, zakonet e blerjeve po zhvendosen ndjeshëm në këtë drejtim.

Shkalla se, sa të pambrojtura bëhen punë të tilla është e qartë: pjesa e të punësuarve britanikë në këto kulla të shitjes me shumicë e pakicë krahasuar me atë të të gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë, përbën rreth 15% të të punësuarve përkundrejt 7.5 për qind të atyre në sektorin e prodhimit.

E duke folur për ekonominë në tërësi, një raport i vitit të kaluar nga “PricewaterhouseCoopers” sinjalizonte se më shumë se 10 milionë të punësuar do të rrezikohen së tepërmi nga automatizimi përgjatë 15 viteve të ardhshme.

Teknologjia, e cila dikur konsiderohej si e shtrenjtë dhe ekzotike, tashmë është bërë pjesë e së përditshmes. Anembanë botës, “Amazon” përdor tashmë rreth 100 mijë mjete të telekomanduara transporti për të lëvizur produktet në qendrat e tij të shpërndarjes. Magazina e re në “kampusin” John Lewis, pranë Milton Keynes përshkruhet tashmë si një “sallë e shkretë pa thashetheme e gumëzhima”. Aty janë të punësuar plot 860 robotë, duke e mbajtur elementin njerëzor në zhvendosjen e produkteve në një minimum absolut.

Vitin e kaluar, “Credit Suisse” shqyrtoi patentat e dorëzuara nga rrjeti “online” i supermarketeve “Ocado” dhe doli në përfundimin se kompania, e cila po punon ndër të tjera edhe me automjetet e transportit pa drejtues, po shkonte drejt një “të ardhmeje të automatizuar”, në të cilën gjysma e stafit të saj do të shkurtohej brenda një dekade.

Thënë këtë, le të kalojmë te pjesë realisht më tmerruese. Duke pasur parasysh se kompania do të përqëndrohet në mënyrë disproporcionale te pagat më të ulëta, te të punësuarit me aftësi minimale, kjo valë automatizimi kërcënon në mënyrë të paevitueshme të përkeqësojë pabarazinë.

Në shumë pjesë të Britanisë, ndërsa punësimi në industrinë e rëndë ka pësuar rënie, është vënë re një shtim i qendrave të mëdha të shitjes me pakicë dhe shpërndarjes. Në disa zona, si Uellsi jugor apo jugu i Yorkshire, rezultati ka kapur nivelet e surrealizmit, një ekonomi qarkulluese në të cilën njerëzit punojnë për bizneset e mëdha të shitjes me pakicë dhe paratë e fituara i shpenzojnë në biznese më të vogla të shitjes me pakicë.

Lind pyetja, çfarë do të ndodhë më tej? Nëse do të donim të shmangnim më të keqen, plane radikale nevojiten urgjentisht. Pasiguria që sjell automatizimi do të kërkojë shumë shpejt zëvendësimin gjithëpërfshirës të sistemit të përfitimeve që thuajse nuk bën asgjë për të inkurajuar njerëzit të tentojnë fitimin e aftësive të reja, e të punojnë nga halli si për t’i treguar të papunëve sesa e pasigurtë është puna e tyre.

Në shumë zona, ngërçi i tregut të punës do ta bëjë çështjen e besueshmërisë dhe strehimit të sigurtë, në mos çështje mbijetese, edhe më urgjente. Në shkolla dhe institucionet më të larta të edukimit, sistemi do të duhet të nxjerrë sa më shumë njerëz të mundet përtej aspekteve më të ndjeshme të ekonomisë, e të shumëfishojë numrin e të arsimuarve me aftësi të larta për të punuar në nivele të larta, gjë që duke pasur parasysh gjendjen e tmerrshme aktuale të mësimdhënies mbi teknologjinë dhe shkencat kompjuterike, duket si një kërkesë tejet e lartë.

Nga politika, duket se nuk ka asnjë interesim serioz mbi një axhendë të këtij lloji. Një nga shumë tragjeditë e masave shtrënguese të konservatorëve është se ata sulmuan mundësitë e çdo përgjigjeje kuptimplotë ndaj automatizimit, pikërisht teksa realiteti i këtij bëhet gjithnjë e më i qartë; e konservatorët duken ende të përgjumur, ose të lidhur me zinxhirë ndaj një mosndërhyrjeje “thaçeriane” (Thatcherism) që nuk ofron asgjë përtej këmbënguljes së zakonshme që tregut nuk duhet t’i kundërvihesh.

Me pak fjalë, pa ndërhyrjen e politikës, revolucioni teknologjik pritet të përkeqësojë edhe më tej pabarazitë rajonale. Gjithsesi, ekzistojnë sinjale se të tilla gjëra janë futur tashmë në radarët e politikanëve të lartë laburistë, siç pranoi edhe Jeremy Corbyn vitin e kaluar se, “automatizimi do t’i bëjë të tepërta shumë prej punëve bashkëkohore”.

Por, përtej fjalimeve ëndërrimtare të “vendosjes së pronësisë dhe kontrollit të robotëve në duart e atyre që punojnë me ta” dhe planeve të lavdërueshme për një shërbim arsimor kombëtar, shumë pak gjëra të prekshme janë bërë mbi këtë çështje, ndoshta sepse debati mbi automatizimin mbërthehet shpesh nga idealizmat e një të ardhmeje “post kapitaliste” të papunësisë vullnetare.

Çfarë kanë për të thënë të majtët mbi punonjësit e “Shop Direct” në Shaw, Chadderton dhe Little Hulton? Si do ta zbusin frikën e mijëra njerëzve të tjerë që pritet të përballen me eksperienca të ngjashme?

Ose e marrë në aspekt tjetër, nëse e ardhmja është tashmë e pranishme, çfarë pritet të ndodhë?

SHKARKO APP