Baruti u shpik aksidentalisht, kur kinezët po përpiqeshin të prodhonin ilaçin e pavdekësisë së njeriut
Nga Ian Harvey
Biskotat e çokollatës, penicilina, furra me mikrovalë – disa shpikje që kanë pasur ndikime të mëdha në botë, janë zbuluar rastësisht, kur njerëzit që i krijuan po përpiqeshin të arrinin diçka krejtësisht tjetër.
Sidoqoftë, ekziston një shpikje, e cila u zhvillua mbi 1 mijë vjet më parë, dhe në fakt u shfaq në skenë me një zhurmë: baruti. Baruti u zbulua në Kinën e lashtë dhe u quajt “huo yao”, ose ”ilaçi i zjarrtë, sipas Manualit Turistik të Kinës.
Në shekullin IX-të, alkimistët kinezë po përpiqeshin të zbulonin një formulë që do të prodhonte eliksirin, lëngun që do t’i siguronte njeriut pavdekësinë. Gjatë eksperimentimit me nitratin e kaliumit, një alkimist emri i të cilit nuk dihet, krijoi një formulë e cila kishte 75 pjesë nitrat kaliumi, 15 pjesë qymyr druri, dhe 10 pjesë squfur.
Ajo nuk garantoi jetën e përjetshme. Por, përzierja shpërtheu në mënyrë spektakolare kur ra në kontakt me zjarrin. Një kronikë e kohës, vë në dukje se shpërthimi ishte i mjaftueshëm, që jo vetëm t’i digjte duart dhe fytyrën alkimistit, por shkatërroi edhe shtëpinë e tij.
Në përgjithësi, konsiderohet se kjo është ajo që çoi në shpikjen e fishekzjarreve. Megjithëse, ka disa historianë që pretendojnë se fishekzjarret kanë ardhur në Kinë nga India apo Lindja e Mesme. Pavarësisht nga origjina e tyre, kinezët nisën t’i përdorin shumë ato.
Fishekzjarret e para, prodhoheshin duke mbushur dru bambuje plot me eksploziv, dhe duke iu vënë zjarrin, teksa ato do të nisnin të shpërthenin në ajër. Më pas drutë e bambuve i`a lanë vendin tubave prej letre.
Fishekzjarret, mund të jenë shumë zbavitëse dhe mëdhështore për raste festash. Megjithatë, baruti ashtu si shumë teknologji të tjera të reja, u përshtat shumë shpejt për përdorime ushtarake. Ka të dhëna që sugjerojnë se përdorimi i parë i barutit kundër një armiku ushtarak, ka ndodhur në fillim të vitit 904, kur forcat e dinastisë kineze Song, e përdorën atë kundër Mongolëve.
Baruti u vu në përdorim në “zjarre fluturuese”, që ishte në fakt një shigjetë me një tub të vogël prej letre, që digjte barutin e bashkangjitur me të. Baruti bënte që shigjetat të godisnin me shpejtësi drejt armiqve të tyre si të ishin raketa të vogla, diçka që nuk është ndonjë befasi e madhe.
Në atë kohë nisën të përdoren edhe flakë-hedhësit, granata dore primitive, dhe armë të tjera. Por, u desh të kalonte edhe një shekull e gjysmë, përpara se qeveria e dinastisë Song të fillonte të shqetësohej vërtet se mos sekreti i prodhimit të barutit, binte në duart e vendeve të tjera.
Pavarësisht se kinezët e ndaluan me ligj shitjen e nitrateve të kaliumit ndaj çdo të huaji duke nisur nga viti 1076, ishte e pashmangshme që ky sekret do të bënte buje jashtë Kinës. Lajmet për këtë armë të re dhe dramatike luftarake morën dhenë, Ato u përhapën përmes Rrugës së Mëndafshit – në Indi, Lindjen e Mesme dhe përfundimisht në Evropë.
Deri në vitin 1350, ushtritë angleze dhe franceze kishin zhvilluar topat me barut, të cilat i përdorën me entuziazëm kundër njëra-tjetrë gjatë Luftës Njëqindvjeçare. Topa të ngjashëm, u përdorën gjithashtu nga turqit osmanë në rrethimin që i bënë Kostandinopojës në vitin 1453. Pikërisht gjatë asaj periudhe, nisën të shfaqen edhe pistoletat e para. Ndryshimi më i madh që solli zbulimi i eksplozivit, ishte shndërrimi rrënjësor i formës së zhvillimit të luftës. Para shpikjes së tij, betejat zhvillohen në një distancë shumë më të afërt, dhe muret dhe fortesat garantonin realisht mbrojtje.
Me daljen në skenë të barutit, ndryshoi gjithçka. Gjithnjë e më shumë, ishte e mundur të plagosje ose vrisje armiqtë nga një distancë më e madhe, dhe luftërat nisën të kishin një normë më të lartë të vdekshmërisë. Edhe sot, ekziston një linjë e drejtpërdrejtë të prejardhjes së përpjekjeve të alkimistëve për të gjetur ilaçin e të jetuarit përgjithmonë, dhe armëve të shkatërrimit në masë. / Vintage News – Bota.al