BE gjobit përsëri Google – Do paguajë $1.7 mld për bllokimin e reklamuesve në rrjet
Komisionerja e Konkurrencës së Bashkimit Europian, Margrethe Vestager, tha se Google duhet të paguajë 1.7 miliardë dollarë për bllokimin e konkurrencës në sektorin e reklamave në rrjet. Komisioni Europian deklaroi se Google ka vendosur kontrata të ekskluzivitetit ndaj publikuesve, duke i ndaluar ata për të publikuar rezultate të kërkimit nga rivalët e Google. Margrethe Vestager tha se Google ka parandaluar rivalët që të konkurrojnë dhe të bëjnë progres në inovacion në mënyrë të drejtë, në tregun e reklamave në rrjet.
“Google ka fuqizuar mbizotërimin në reklamat në rrjet dhe ka mbrojtur veten nga konkurrentët duke caktuar kufizime anti-konkurruese ndaj palëve të treta. Kjo është e jashtëligjshme nën rregullat e Bashkimit Europian.”
Në tremujorin e katërt 2018, biznesi i reklamave i Google gjeneroi të ardhura prej 32.6 miliardë dollarë, në rritje me 20% nga tremujori i kaluar. Komisioni Europian bëri të ditur se nga 2006 në 2016, Google ka qenë lojtari më i fortë në reklamimin në rrjet në Zonën Ekonomike Europiane, me një pjesë tregu prej mbi 70%. Kjo është gjoba e tretë nga Brukseli për Google. Verën e kaluar, rregullatorët në Bruksel gjobitën Alphabet me 5 miliardë dollarë, por abuzimin me sistemin operues Android. Në vitin 2017, Google mori një gjobë prej 2.7 miliardë dollarë nga Bashkimi Europian, për favorizimin e shërbimit të vet të blerjeve online, kundrejt konkurrentëve.