BMW fiton kontroll në Kinë – Do të rrisë zotërimin në 75%, ndërkohë që Kina “hap” tregun
Prodhuesi gjerman i makinave, BMW, tha se do të marrë kontrollin e sipërmarrjes kryesore që ka në Kinë, për 3.6 miliardë euro. Kjo është lëvizja e parë nga një prodhues makinash, ndërkohë që Pekini ka nisur të thjeshtëzojë rregullat e pronësisë, në tregun më të madh të makinave në botë.
Kompania do të rrisë zotërimin në sipërmarrjen që ka me Brilliance China Automotive në 75% nga 50% dhe marrëveshja pritet të përfundojë në vitin 2022, kur rregullat që limitojnë përqindjen e kuotave të mbajtura nga ente të huaja në Kinë të hiqen.
Lëvizja ka gjasa të zëvendësojë një pjesë të prodhimit të BMW në Kinë, duke nxitur rritjen e fitimeve, ndërkohë që lufta tregtare me Washingtonin ka shtuar kostot e importit në fabrikën në Karolinën e jugut.
Lëvizja përbën gjithashtu një arritje për industrinë e makinave, që kanë pasur një limit të zotërimit në tregun Kinez prej 50% dhe detyroheshin që të ndanin fitimet me partnerët lokalë.
“Po hyjmë në një epokë të re”, tha kreu ekzekutiv i BMW, Harald Kruger, duke falënderuar kryeministrin kinez Li Keqiang, që ka shprehur hapur mbështetjen e këtij plani.
Pekini ka treguar mikpritje për prodhuesit e huaj të makinave që të shtojnë investimet në Kinë dhe ka ulur kufizimet rregullatore që frenojnë zotërimet në tregun vendas.
Ndërkohë që lufta tregtare ka marrë vrull, qeveria kineze ka premtuar të hap mëtej tregjet. BMW është një nga eksportuesit më të mëdhenj të makinave nga SHBA në Kinë, duke u përfshirë kështu në luftën tregtare.
Analistët thonë se rritja e zotërimit në Kinë mund të bëjë që BMW të zhvendosë prodhimin e modeleve X4, X5 dhe X6 në Kinë, nga Shtetet e Bashkuara, që prodhohen aktualisht.