Britania krijon ‘busullën’ e parë kuantike në botë – Pajisja miliona paundëshe, e pagjurmueshme

Shkencëtarët britanikë kanë ndërtuar ‘busullën’ e parë kuantike në botë, një pajisje që nuk mbështetet në GPS, pas miliona paund financime nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Pajisja, instrumenti i parë i këtij lloji, sipas ‘Financial Time’, mund të ndihmojë në identifikimin e vendodhjes së saktë të gjërave në Tokë, në një mënyrë që nuk mund të ndërhyhet, sepse nuk mbështetet në satelitët e jashtëm.

“Është krejtësisht e pavarur. Është veçanërisht e dobishme nëse doni të lundroni në një anije të madhe ose me automjete autonome për periudha të gjata kohore, pa pasur nevojë të dërgoni/merrni sinjale të tjera për të ditur ku jeni”, tha Joseph Cotter, studiues në Kolegjin Imperial, i cili ndërtoi pajisjen.

Ministria e Mbrojtjes ka investuar paratë në ndërtimin e kësaj pajisje navigimi të pavarur, e cila është projektuar të përdoret për nëndetëset e saj bërthamore.

Megjithëse GPS është sistemi global ‘de facto’ i navigimit, mbështetja e tij në satelitët hapësinorë do të thotë se edhe mund të bllokohet. Veçanërisht, GPS është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj ndërprerjes apo një sulmi të qëllimshëm.

“Satelitët mund të humbasin sinjalin ndonjëherë për shkak të mjedisit hapësinor ose ndërtesave të larta, ose mund të hiqen me qëllim të keq nëse dikush përpiqet t’i fikë ato. Nuk është e mundur të marrësh një sinjal GPS kudo në tokë”, tha Cotter.

Pajisja e re kuantike punon duke matur se si shpejtësia e një objekti ndryshon me kalimin e kohës. Ajo mat lëvizjen e atomeve në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, ku një lazer i fuqishëm përdoret për kontrollimin e tyre. Ky i fundit, është projektuar nga kompania me bazë në Glasgow, MSquared, i cili mori tre vjet kohë për t’u krijuar.

Studimi kuantik është identifikuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si një prioritet në vitin 2013, me një fokus në teknologjitë ushtarake. Që prej asaj kohe, përmes Programit Kombëtar të Teknologjive Kuantike, Britania ka investuar 270 milionë paund në projekte të kësaj fushe për më shumë se 5  vjet.

SHKARKO APP