Celularët dhe videot “online” po ndotin planetin

Nga John Harris, the Guardian

Ishte thjesht një tjetër nga ato çastet e kësaj vere të gjatë e gjithnjë e më të çuditshme. Po udhëtoja me tren për në shtëpi, që nga stacioni i Pedingtonit, dhe kondicioneri i vagonit po e luftonte me vështirësi të nxehtin që vinte nga jashtë. Shumica e njerëzve shihnin celularët, shumë prej tyre përpiqeshin të kapnin ndonjë lidhje drejtpërsëdrejti nga ndeshjet e botërorit, me sinjalin 4G që ikte e vinte. Interneti “wireless” që ofrohej nga treni ishte shumë problematik. Zukatja që rridhte nga kufjet nuk ndalej. Dhe me mijëra kilometra larg, në Loudoun Kaunti të Virxhinias, SHBA, një nga qendrat e serverëve më të fuqishëm në botë po bënte pjesën e vet për të vënë në punë atë që po shihja, teksa të dhënat nga e gjithë bota hyjnë e dalin çdo sekondw, në masë, nga ndërtesat e tyre të mëdha.

Pjesa më e madhe e njerëzve komunikon çdo ditë me këtë qoshe të vogël e të pasur të Amerikës. Falë një kombinimi faktorësh, si të qenit afër me Uashingtonin, çmimi konkurrues i elektricitetit dhe numri i vogël i fatkeqësive natyrore, ka bërë që kjo kontè të jetë shtëpia e të dhënave për rreth 3000 kompani. Është një përzierje e madhe qarqesh e kabllosh e sistemesh ftohjeje që vendosen nëpër qoshe të ndryshme të botës, të cilat ne i shohim rrallë, por që tani janë bërthama e mënyrës se si jetojnë shumë prej nesh. 70% e trafikut botëror të internetit mendohet se kalon në kontenë Loudoun.

Por ka një problem më të madh, që ka lidhje me një kompani energjie, të quajtur Dominion, e cila furnizon shumicën e elektricitetit aty. Sipas një raporti të Greenpeace në vitin 2017, vetëm 1% e energjisë së Dominion vjen nga burime të rinovueshme. 2% vjen nga hidrocentralet, dhe të tjerat vijnë nga termocentrale që punojnë me energji bërthamore ose me qymyr e gaz. Veç kësaj, Dominion është përfshirë në debate për ndërtimin e një gazsjellësi që do të transportojë gaz të nxjerrë nga toka me sistemin “fracking”, për të furnizuar termocentralet që përdoren kryesisht nga këto qendra të dhënash. Sigurisht, videot, fotot dhe mesazhet që dalin nga këto qendra të dhënash vijnë me një çmim.

Të gjitha këto m’i kujtoi një libër i botuar së fundmi, “Epoka e Re e Errët”, nga shkrimtari britanik, James Bridle. Ai citon një studim të kryer në Japoni, që sugjeron se nevoja që do të ketë Japonia në vitin 2030 për shërbime dixhitale, do të jetë më më lart se kapaciteti i vendit për të prodhuar energji. Ai citon një raport amerikan të vitit 2013, që për ironi ishte zhvilluar nga lobistët e industrisë së qymyrit, e që tregonte se përdorimi i tabletave apo i smartfonëve për të parë një orë video në javë konsumon energji te qendrat e të dhënave pothuajse sa dy frigoriferë të rinj.

Nëse jeni të shqetësuar për ndryshimet e klimës dhe çështje të rëndësishme si zgjerimi i aeroportit Heathrow, ia vlen të dini që, së shpejti, qendrat e të dhënave do ta ndotin mjedisin shumë më tepër se e gjithë industria e aviacionit. Megjithatë, siç thotë dhe Bridle, as këto statistika nuk e tregojnë siç duhet nivelin e problemeve. Ai përmend sasinë e madhe të energjisë që konsumohet nga gërmimet që bëhen për Bitcoin. Për shkak të spekulimeve me çmimin muajin e shkuar, Bitcoin prodhonte dyoksid karboni të barabartë me 1 milionë fluturime përmes oqeanit atlantik. Shkrimtari është në ankth për atë që pritet të ndodhë më pas: “Për shkak të rritjes së kapaciteteve të të dhënave në dhjetëvjeçarin e fundit, energjia që përdoret nga serverët dyfishohet çdo katër vite, dhe pritet të trefishohet në 10 vitet e ardhshme.”

Këto ndryshime ndodhin kryesisht nga shtimi i pajisjeve që lidhen me internetin, që nga televizorët e deri te pajisjet e sigurisë, sistemet e ndriçimit, si dhe mjetet e transportit që vazhdojnë të dërgojnë e të marrin të dhëna. Po të përhapen më shumë makinat pa shofer, përdorimi i të dhënave do të rritet edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, rritja e shpejtësisë së internetit do të kërkojë pajisje më të shpejta teknologjike, gjithashtu, dhe kjo do të jetë një ngarkesë e shtuar.

Rreth një dekadë më parë na thanë t’i luftojmë ndryshimet klimatike duke fikur televizorin e magnetofonin. Nëse kjo betejë tani është edhe më urgjente, si mund të përshtatet në një botë ku drita e ruterit fiket e ndizet vazhdimisht, dhe të gjitha pajisjet që kemi lidhen me kompjuter gjigantë, në zona të largëta të botës?

Lajmi i mirë është që pavarësisht shtrembërimeve etike, Silicon Valley ka një ndërgjegje mjedisore. Facebook ka premtuar se do të përdorë energji 100% të rinovueshme, herët a vonë. Google thotë që e ka arritur atë qëllim. Apple po ashtu. Megjithatë, edhe nëse ka përmirësime, prapa këtyre deklaratave fshihet një realitet në të cilin kërkesa e madhe për energji do të thotë se kompanitë janë të detyruara të përdorin elektricitetin që vjen nga karburantet e djegshme, dhe e shlyejnë duke përdorur praktikën e dyshimtë të kompensimit të karbonit.

Mes korporatave të mëdha teknologjike, një mbetet shqetësuese: Amazon, e cila ka degën e saj, Amazon Web Services, që sa vjen e po zgjerohet. Ky shërbim ofron fuqi kompjuterike, hapësirë për të dhëna dhe burime të tjera, duke furnizuar sidomos Netflix-in. Kjo sjell zgjerimin më të madh të qendrave të të dhënave. Mbështetësit e mjedisit ankohen për faktin që ende nuk është bërë e ditur për publikun se sa energji konsumon sistemi i Amazon. Në faqen e Amazon, historiku i deklarimeve të përdorimit të energjisë së rinovueshme ndalon në mënyrë të dyshimtë në vitin 2016.

Veç kësaj, edhe gjigantët më të kujdesshëm amerikanë komandojnë vetëm një pjesë të industrisë botërore. Raporti i Greenpeace thotë se gjigantët kinezë si Baidu, Tencent dhe Alibaba vazhdojnë të jenë të heshtur për konsumin e energjisë. As publiku dhe as klientët nuk marrin dot informacion për elektricitetin që konsumojnë dhe për dyoksidin e karbonit që lëshojnë në atmosferë. Pavarësisht punës së mirë që bëhet nga disa gjigantë teknologjikë, edhe nëse nuk e merrni seriozisht parashikimin se në vitin 2040 14% e karbonit që çlirohet në atmosferë do të vijë nga teknologjia e komunikimit, shumica e elektricitetit që përdoret sot në botë vjen nga burime të parinovueshme. Dhe teksa numri i tyre sa vjen e rritet, nuk ka garanci që ky fakt do të ndryshojë.

Ka disa zëra nga këto industri që përshkruajnë një të ardhme zhgënjyese për të gjithë ne që presim që çdo gjë të jetë “online’. Ata flasin për përdorim interneti me racione, dhe që njerëzit do të detyrohen të dërgojnë foto bardhezi e do të largohen nga shërbimet që ofrojnë video në kohë reale. Ata vijnë njësoj si celulari që ngrohet ndonjëherë në xhep, si një metaforë për ngrohjen globale, apo si kompanitë e mëdha që edhe pse kanë qëllime të mira, shërbimet që ofrojnë vazhdojnë të mos prodhohen me energji të rinovueshme.

SHKARKO APP