CIA duhet të hetojë “tradhtinë” e Google
Miliarderi Peter Thiel ka bërë thirrje për një hetim federal mbi refuzimin e Google-it për të punuar me ushtrinë amerikane dhe thotë se marrëdhënia e gjigantit teknologjik me ushtrinë kineze është “tradhtare”.
Thiel, një anëtar i bordit në Facebook, kërkon që FBI dhe CIA t’i bëjnë pyetje Google-it, duke filluar me “sa agjenci të huaja të inteligjencës janë infiltruar në Projektin Manhattan për inteligjencën artificiale?”
Nuk ka raporte publike që agjencitë e huaja të inteligjencës kanë infiltruar Google, megjithëse Thiel ka themeluar kompaninë “Palantir”, e cila aktualisht punon me regjimin Trump dhe ka grumbulluar një sasi të madhe të të dhënave të amerikanëve. Nuk është e qartë nëse Thiel ka ndonjë informacion të veçantë në lidhje me aktivitetet e inteligjencës së Google apo të Kinës që janë fituar nëpërmjet kompanisë së tij.
“Pyetja numër dy: A mendojnë menaxherët e lartë të Google-it që në gjigantin e internetit është infiltruar inteligjenca kineze?”, vijoi Thiel.
“Dhe e treta, është për shkak se ata e konsiderojnë veten të infiltruar aq thellë saqë kanë marrë pjesë në vendimin e dukshëm tradhtar për të punuar me ushtrinë kineze dhe jo me ushtrinë amerikane”, thotë ai më tej.
Thiel i bëri këto komente në Konferencën Kombëtare të Konservatorizmit në Uashington, D.C.
Thiel, një këshilltar i Presidentit Donald Trump, me shumë gjasa i referohej vendimit të Google-t në vitin 2018 për të mos rinovuar një kontratë me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-ve për zhvillimin e inteligjencës artificiale për dronët për shkak të shqetësimeve me bazë etike. Pak muaj më parë, edhe gjenerali Joseph Dunford, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, bëri komente të ngjashme në lidhje me vendimin e Google-it, por nuk përdorti në mënyrë specifike fjalën tradhti.
Duke folur në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars, Dunford tha: “Ne e shohim me shqetësim faktin që partnerët e industrisë punojnë në Kinë duke e ditur se ka përfitim indirekt dhe sinqerisht ‘indirekte’ nuk mund të jetë një karakterizim i plotë i mënyrës se si qëndrojnë punët. Është më shumë një përfitim i drejtpërdrejtë për ushtrinë kineze”.