Code for Albania hap aplikimet për klasën e parë dixhitale
Nëse je 13-16 vjeç apo prind i kësaj grupmoshe, mos e humb këtë lajm.
Pandemia dhe situata e krijuar prej saj ishin një test për të ardhmen dixhitale të botës dhe Shqipërisë. Që nga puna e arsimimi, deri tek argëtimi dhe koncertet, gjithçka u zhvendos online, duke dëshmuar se teknologjia sot i mundëson kujtdo të vazhdojë thuajse normalisht aktivitetin, edhe në kushte të vështira e sfiduese. Por çfarë do të thotë kjo për brezat e rinj?
Të rinjtë janë motorët e zhvillimit të teknologjisë dhe dixhitalizimit, duke qenë njëkohësisht adaptuesit/përdoruesit më të shpejtë të tyre dhe ndërtuesit e aplikacioneve të reja, të cilat iu përgjigjen kërkesave të kohës. Duke programuar softe që na ndihmojnë të kryejmë detyrat e përditshme më lehtë se kurrë, këta të rinj po ndërtojnë realitetin e ri të së ardhmes. Kjo është edhe arsyeja përse programe si “Code for Albania” janë krijuar.
Code for Albania është një program 3-vjeçar me qëllim zhvillimin e Edukimit në Teknologji dhe Mentalitetit Krijues tek nxënësit e Ciklit të Mesëm. Ky program vjen në Shqipëri si bashkëpunim i “Alpha Plan”, një organizatë jofitimprurëse shqiptare e formuar nga rrjeti i diasporës në Silicon Valley dhe Code. X, i themeluar nga Universiteti i Stanfordit, një qendër kryesore e zhvillimeve teknologjike në SHBA. Code. X ka si synim të përçojë disa parime bazë të programimit dhe të mentalitetit krijues në vende ku zhvillimi teknologjik është në fazat e para të tij, për të krijuar kështu liderët e rinj në këtë fushë. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, Code for Albania sjell profesorë nga Silicon Valley, për të përgatitur koduesit dhe profesionistët më të mirë të së ardhmes në Shqipëri.
Kjo mundësi unike për të gjithë nxënësit që mbarojnë klasën e 9-të në shkollat 9-vjeçare dhe presin të regjistrohen në gjimnaze ose në klasën e 10-të në shkollat profesionale në të gjithë Shqipërinë vjen falas dhe nuk duhet humbur. Kampi dixhital veror 2020 i Code for Albania ofron 500 vende të lira për vajzat dhe djemtë shqiptarë që duan të mësojnë kodim dhe design thinking me instruktorë nga Silicon Valley, Boston, New York e Tiranë. Në fund të vitit të parë të programit, pra maj 2021, do të përzgjidhen vetëm 30 kampionë, të cilët do të vazhdojnë më tej kampin veror në 2021-shin.
Në këtë rrugëtim Programi “Code for Albania” gjen mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë Korçë, si dhe bashkëpunimin me Fondacionin Vodafone Albania, kompani e cila ka në fokus edukimin dixhital për të rinjtë, si baza e shoqërisë dixhitale të së ardhmes.
Jetojmë në një epokë dixhitale, por e ardhmja do të jetë edhe më dixhitale se kaq, prandaj duhet të jemi gati. Regjistrimet janë të hapura deri më 26 qershor. Mund të aplikoni direkt nga aplikacioni Juth nga Vodafone ose ndiqni linkun. Nxitoni të rezervoni bankën tënde virtuale në klasën Code for Albania 2020-21.