Dështon makina që ecën vetë
Uber njoftoi pezullimin e testeve të makinave që ecin vetë pas një aksidenti fatal në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një prej automjeteve të kompanisë së njohur goditi duke vrarë në vend një grua 49-vjeçare, e cila ishte duke kaluar rrugën, por jo në vijat e bardha.
Makinat që lëvizin në mënyrë të pavarur me pilotë automatikë janë përfshirë edhe në raste të tjera në aksidente rrugore, por kjo është hera që e parë që përplasja rezulton vdekjeprurëse.
Si Administrata Kombëtare Amerikane e Sigurisë Rrugore ashtu dhe ajo e Sigurisë së Transportit po dërgojnë ekipe hetuesish në vendin e ngjarjes.
Kompani të mëdha të prodhimit të makinave si Ford, General Motors, apo Tesla janë duke investuar fort në kërkimet që lidhen me makinat vete-drejtuese, të përshkruara shpeshherë si e ardhmja e industrisë së automobilieve e të përshëndetura dhe si mënyrë e mirë për reduktimin e aksidenteve në trafik.
Mjaft shtete amerikane i kanë mirëpritur testet me shpresën se kështu do të rreshtohen në radhën e parë të përdorimit të teknologjisë së re. Por nuk kanë munguar në të njëjtën kohë as paralajmërimet mbi rreziqet e përdorimit të saj përpara se të jetë vërtet gati për publikun e gjerë.
Anthony Foxx, ish-sekretar transporti në Administratën Obama, e konsideron aksidentin e Arizonës një thirrje zgjimi për industrinë e makinave dhe për vete qeverinë amerikane, që duhet t’i japë sipas tij një prioritet të veçantë sigurisë në rrugë.