Deutsche Telekom mundëson internet 4G edhe në qiell

Interneti i gjeneratës së katërt (4G) do të jetë së shpejti i prekshëm për përdoruesit edhe gjatë udhëtimeve ajrore. Ky shërbim bëhet i mundur përmes marrëveshjes midis tre kompanive, Deutsche Telekom, Inmarsat dhe Lufthansa. Marrëveshja është hapi i parë që hap rrugën për zgjerimin e këtij shërbimi për të gjithë fluturimet brenda kontinentit europian. E gjitha bëhet e mundur përmes një rrjeti të ri të kombinuar të internetit të shpejtë 4G (LTE) dhe sinjalit satelitor për transmetimin e valëve gjatë fluturimit. Shërbimi do të nisë me hapjen e sezonit të ri veror vitin e ardhshëm (2016).

Kompania e telekomunikacionit Deutsche Telekom dhe ajo satelitore Inmarsat po punojnë për të zhvilluar në mënyrë të përsosur “Rrjetin Europian të Aviacionit”, që kombinon lidhjen nga një satelit i ri i Inmarsat me internetin LTE përmes një procesi të drejtuar nga Deutsche Telekom.

Lufthansa do të jetë e para kompani ajrore europiane që do të ofrojë shërbimet e reja të lidhjes së internetit gjatë udhëtimeve ajrore. Në fillim të verës së vitit 2016, Lufthansa do të prezantojë një shërbim satelitor me bandë të gjerë për fluturimet e saj europiane, e cila është e bazuar në teknologjinë e nisur kohët e fundit nga Inmarsat.  Duke u bazuar në këtë marrëdhënie strategjike, Lufthansa është angazhuar në projektin pilot për fluturimet e “Rrjetit Europian të Aviacionit” nga 2017 e në vazhdim.

“Ky hap i guximshëm e bën Deutsche Telekom operatorin e parë në sektorin e telekomunikacioneve që përfiton avantazhet e teknologjisë LTE në hapësirën ajrore europiane dhe i përshtatet në mënyrë të përkryer strategjisë tonë për t'u bërë telekomi kryesor evropian. Si një risi novatore, ne do të prezantojmë një rrjet të fuqishëm bazuar në LTE brenda Rrjetit Europian të Aviacionit. Ky do të jetë rrjeti i parë i lidhjes së aviacionit në Europë mundësuar nga kombinimi i LTE dhe satelitit. Udhëheqja jonë në teknologji ofron një themel të fortë për përvojën më të mirë të mundshme për konsumatorët, si në tokë ashtu edhe në ajër, dhe na mundëson që të punojmë me partnerët më të mirë në Europë dhe më gjerë”, deklaroi Drejtori Ekzekutiv i Deutsche Telekom, Tim Höttges.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Inmarsat, Andy Sukawaty, u shpreh se “sateliti i integruar, plotësuar me lidhjen tokësore të LTE, do të sigurojë që Inmarsat dhe Deutsche Telekom së bashku të ofrojnë eksperiencën më të shpejtë, më të mirë dhe më rezistente të lundrimit në internet gjatë fluturimit ajror dhe plotëson nevojat e kompanive ajrore në këto hapësira”. Gjithashtu, Sukawaty shtoi se “duke përdorur teknologjinë tonë më të përparuar, tashmë kemi mundësi të ofrojmë lidhje interneti për çdolloj avioni fluturues që ekziston”.

“Ne jemi të kënaqur që mund t`u ofrojmë pasagjerëve tanë një përvojë të jashtëzakonshme të lundrimit në Internet gjatë fluturimeve të shkurtra dhe të mesme duke nisur nga 2016. Kjo nënvizon edhe njëherë se ne jemi të parët kur bëhet fjalë për shërbimet dixhitale në bord. Së bashku me Deutsche Telekom dhe Inmarsat, ne po mendojmë të shkojmë më tej me këtë projekt. Ne duam të angazhohemi në zhvillimin e teknologjisë së gjeneratës së ardhshme për të forcuar më tej rolin tonë novator dhe udhëheqës në këtë fushë”, thotë Drejtori Ekzekutiv i Lufthansa, Carsten Spohr.

“Rrjeti Europian i Aviacionit” është i pari në Europë dhe përbëhet nga sateliti S-band të kompanisë Inmarsat që siguron një mbulim në të gjithë territorin europian. Sateliti është projektuar që të ofrojë shërbime celulare novatore satelitore për linjat ajrore europiane duke përdorur spektrin S-band 30 MHz të Inmarsat të shpërndarë në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Por jo vetëm kaq. Ky shërbim do të ofrohet edhe për fluturimet në vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, siç është edhe Shqipëria.

Ajo është e kombinuar në terren me një rrjet të ri me bandë të gjerë, i cili është shumë i fuqishëm me afërsisht 300 antena LTE që Deutsche Telekom do të ndërtojë dhe menaxhojë. Vendet e përcaktuara që do të ofrojnë LTE do të kenë një shtrirje në lartësi që arrin deri në 80 mijë metra (80 km) ose 8 herë me shumë se antenat e zakonshme LTE që kanë një shtrirje deri në 10 km. Këto antena do të jenë në gjendje të transmetojnë të dhëna për pasagjerët që fluturojnë deri në 10 herë më lart se çatia e botës, Mali Everest. Gjithashtu, antenat janë mjaft fleksibël për t`u përshtatur me shpejtësinë e avionit.

Pasi avioni arrin në kuotën e 3 mijë metrave, rrjeti tokësor i Deutsche Telekom do të kombinohet me lidhjen satelitore. Kalimi i lidhjes nga tokësore në satelitore do të menaxhohet automatikisht nga sistemet e kabinës pa pasur asnjë ndikim ose interferencë në shërbimin e kryer në bord. Lufthansa do të marrë pjesë në një projekt pilot fluturimi të Rrjetit të ri të Aviacionit Europian nga 2017 e në vazhdim.

                      

Rreth Telekom Albania

Telekom Albania filloi operacionet komerciale në 1996, me emrin komercial Albanian Mobile Communications. Në 2008 iu bashkua Grupit Deutsche Telekom dhe në 2015 përqafon identitetin e brandit Telekom. Telekom Albania, me produkte moderne, inovacion të përhershëm në përputhje me zhvillimet e reja teknologjike dhe çmimet më konkurruese, është shndërruar në ofrues të rëndësishëm të komunikimit dhe inovacionit cilësor në Shqipëri.

Rreth Deutsche Telekom

Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 151 milionë abonentë celularë, 30 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 17 milionë linja broadband (deri më 32 dhjetor 2014). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim cellular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 228 000 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2014 ishin 62,7 miliardë euro dhe mbi 60% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.

SHKARKO APP