Deutsche Telekom prezanton rrjetin 5G
Për herë të parë në botë, Deutsche Telekom prezantoi E2E rrjetin 5G, fjalën e fundit të teknologjisë së komunikimit. Gjatë Kongresit Botëror të Telekomunikacionit në Barcelonë, grupi Deutsche Telekom prezantoi gjeneratën e pestë, zhvillimin më të ri për telefoninë e lëvizshme.
“Ne jemi plotësisht në rrugën e duhur me 5G dhe po vazhdojmë të nxisim standardizimin dhe zhvillimin në mënyrë që të mund të fillojmë zbatimin në vitin 2020 – ose edhe më herët”, shpjegoi Claudia Nemat, anëtare e Bordit për Teknologjinë dhe Europën në Deutsche Telekom. “Qëllimi ynë me 5G nuk është thjesht për të ofruar më shumë shërbime. Kjo teknologji e re do të trajtojë kërkesat e konsumatorëve në mënyrë më individuale.”
Kongresi Botëror i Telekomunikacionit mbahet çdo vit dhe Deutsche Telekom merr pjesë duke paraqitur zhvillimet e fundit të industrisë. Këtë vit, Deutsche Telekom njoftoi edhe fillimin e bashkëpunimit strategjik ndërkombëtar me gjigantin korean “SK Telecom” në fushën e shërbimeve, Internet of Things dhe projekteve të ngjashme novatore.
Drejtori Ekzekutiv i Deutsche Telekom Tim Höttges u shpreh se: “Ne po hedhim një hap gjigant me zhvillimin e rrjetit 5G, krijimin e rrjetit tonë evropian dhe nënshkrimin e bashkëpunimeve botërore.”
Qëllimi i bashkëpunimit me SK Telecom është forcimi i kapaciteteve për të qenë udhëheqës në këtë sektor si dhe për të zhvilluar biznese të përbashkëta në tregjet aziatike dhe europiane. Deutsche Telekom dhe SK Telecom do të bashkëpunojnë për krijimin e teknologjive të reja që do tu sjellin klientëve rrjetin 5G dhe SDDC (Software-Defined Data Center).
“Ideja është të krijojmë një partneritet të mahnitshëm teknologjik me rezultate të prekshme. Zhvillimi dhe shkëmbimi i shërbimeve të reja do të ndihmojë të dy kompanitë të gjenerojnë më shumë përfitime për klientët tanë”, tha Tim Höttges, CEO i Deutsche Telekom. “Por gjithashtu edhe për të mësuar nga njëri-tjetri. Ne jemi me të vërtetë të impresionuar nga gatishmëria e SK Telecom dhe krijimtaria e tyre dhe presim shkëmbimin e ideve dhe përvojave” – vazhdoi ai.
Kongresi Botëror i Telekomunikacionit vazhdon punimet deri më 25 shkurt ku kompanitë më të mëdha të industrisë së telekomunikacionit do të prezantojnë zhvillimet e tyre novatore. Ndërkaq Deutsche Telekom, e cila operon së fundmi edhe në Shqipëri me Telekom Albania do të vazhdojë të ofrojë për klientët e saj zgjidhjet e fundit teknologjike.
“Dial” në kyçin e dorës tuaj
Deutsche Telekom dhe i.am+, kompani e krijuar nga këngëtari i njohur will.i.am kanë prezantuar në Kongresin e Barcelonës nisjen e bashkëpunimit mes tyre. Qëllimi i kësaj marrëveshje afatgjatë është nxjerrja në treg e produkteve “smart” dhe shërbimeve të reja.
Produkti i parë që do të vijë nga ky bashkëpunim është “dial”, paisje kompiuterike e gjeneratës së ardhshme që do të mbahet në kyçin e dorës dhe nuk do të jetë thjesht një celular.
“Smartphone në kyçin tuaj”. Nëpërmjet shërbimeve novatore “dial” do të bëjë diferencën me orat “smart”, pasi do të ofrojë shërbime të kombinuara me “stilin e jetës”, “argëtimin” dhe “komunikimin”.
Pajisja komandohet nëpërmjet një sistemi të avancuar zanor, dhe eliminon prekjen, pasi nëpërmjet zërit mundëson kërkim, kryerje telefonatash, gjen muzikë dhe informacion dhe funksionon si AI (Inteligjencë Artificiale). “dial” ka dhe kamera frontale duke mundësuar “selfi-e” në çdo moment.
Krahasuar me orat “smart” e veçnata e “dial” është se operon me nano SIM duke e bërë këtë paisje të pavarur nga celulari. Zotëruesi i “dial” mund të mbajë numrin personal dhe nuk humbet asnjë kontakt apo të dhënë që ka në celular dhe mund të kryejë thirrje apo marrë mesazhe nëpërmjet vetëm një paisje.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të këngëtarit will.i.am dhe Tim Höttges, Drejtorit Ekzekutiv të Deutsche Telekom u bë me dije se brenda këtij viti “dial” do të jetë në shitje ekskluzivisht në disa prej vendeve europiane ku operon Telekom.
Rrjeti 5G
Deutsche Telekom është kompania e parë në botë që paraqiti një sistem të plotë të rrjetit 5G. Kjo teknologji e fundit kalon çdo kufi për sa i përket aspektit kohor në të cilin i kryen veprimet. I gjithë ky proces kryhet në më pak se 1 milisekonda. Ky është një rekord teknik dhe një hap i rëndësishëm për të mundësuar një numër veprimesh në kohë reale të tilla si: makinat pa shofer, procedurat kirurgjikale në largësi e të tjera.
Rreth Deutsche Telekom
Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 151 milionë abonentë celularë, 30 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 17 milionë linja broadband (deri më 31 dhjetor 2014). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim celular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorët, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 228 000 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2014 ishin 62,7 miliardë euro dhe mbi 60% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.