Deutsche Telekom vendos standarde të reja në studimin e demencës
Loja “Sea Hero Quest” u prezantua nga Grupi Deutsche Telekom në maj të këtij viti dhe arriti të vendosë standarde të reja në studimin e demencës. Loja është zhvilluar në bashkëpunim me University College të Londrës, University of East Anglia në Mbretërinë e Bashkuar, fondacionin Alzheimer’s Research dhe kompaninë e lojërave Glitchers.
Deri më sot lojën “Sea Hero Quest” e kanë luajtur rreth 2.5 milionë persona duke shënuar kështu suksesin e parë global në lidhje me orientimin e njeriut në hapësirë. Kjo arritje është thelbësore për zhvillimin e metodave të reja për diagnostikimin e hershëm të demencës. “Sea Hero Quest” ka vënë në provë aftësitë orientuese të njerëzve të moshave dhe gjinive të ndryshme nga mbarë bota. Ekipi i studiuesve i ka bërë të ditura rezultatet fillestare nga analizimi i të dhënave të lojës, në konferencën ndërkombëtare “Neuroscience 2016” në San Diego të SHBA.
Loja “Sea Hero Quest” është një shembull i drejtpërdrejtë i përgjegjshmërisë dixhitale dhe i lidershipit të Deutsche Telekom në fushën e novacionit. “Miliona njerëz kanë dhënë informacion që ndihmon betejën kundër demencës. Ky volum i madh informacioni, i ruajtur i sigurt online, na jep mundësi t’u ofrojmë shkencëtarëve lëndën e parë që u nevojitet për kërkime moderne,” tha zoti Tim Höttges, Drejtor Ekzekutiv i Grupit Deutsche Telekom. “Dixhitalizimi sjell novacion për sa i përket progresit në sektorin e shëndetit publik”.
Dr. Hugo Spiers, i University College të Londrës, ka kryesuar analizimin e të dhënave anonime të mbledhura, i ndihmuar nga Dr. Michael Hornberger, profesor i kërkimeve të aplikuara të demencës në University of East Anglia. Rezultatet e para tregojnë se aftësia jonë për t’u orientuar fillon të zvogëlohet në moshën e hershme madhore (shembujt e përfshirë në analizë janë 19 vjeç e sipër) dhe vazhdon këtë trajektore gjatë gjithë jetës. Për shembull, lojtarët e moshës 19 vjeç kishin 74% saktësi në goditjen e objektivit në lojë, ndërsa shifra ulej në 46% për lojtarët e moshës 75 vjeç. Ky përfundim rrëzon studimet e mëparshme të kryera në shkallë më të vogël (me rreth 100 pjesëmarrës), sipas të cilave zvogëlimi i kësaj aftësie pritej në mosha më të mëdha.
Kjo nismë dëshmon se si dixhitalizimi mund të sigurojë bazat themelore për studime. Brenda pak muajve u grumbullua sasia më e madhe e informacionit në llojin e vet. Vetëm në Shqipëri loja u shkarkua dhe u luajt nga rreth 50.000 persona. Nëse marrim parasysh raportin me popullsinë, kjo shifër është më e larta nga të gjitha vendet që dhanë kontribut. Një fakt interesant: numri më i madh i lojtarëve të “Sea Hero Quest” në Shqipëri janë meshkuj, që arrijnë 61% të numrit total.
Informacioni dixhital i krijuar nga loja ruhet në mënyrë anonime dhe të sigurt në shërbimin “cloud”.
“Sea Hero Quest” tashmë mund të shfrytëzohet për të ndihmuar diagnostikimin e demencës në fazat e hershme, si edhe për trajtimin e pacientëve me demencë. Loja do të shfrytëzohet në vazhdimësi edhe për të matur përmirësimin e mundshëm të aftësisë orientuese tek pacientët. Kalimi i “Sea Hero Quest” në fazën klinike krijon mundësinë e matjes së përmirësimit të mundshëm të aftësive orientuese, ndaj mund të përdoret gjatë testimeve të mjekimeve për të vlerësuar efikasitetin e tyre.
Përpunimi i mëtejshëm i informacionit të mbledhur pritet të përfundojë pas dy viteve. Analizat e mëvonshme do të vlerësojnë edhe veçoritë demografike, ku përfshihet niveli i arsimimit, përdorimi i dorës së djathtë ose të majtë, aftësia orientuese, mjedisi gjeografik ku janë rritur lojtarët, orët e gjumit dhe koha e kaluar në udhëtime për çdo ditë.
Ndikimi i këtij studimi është një arritje e vërtetë në luftën kundër demencës, një epidemi botërore që parashikohet të prekë 135 milionë njerëz në vitin 2050.
Loja mund të shkarkohet falas në App Store dhe Google Play. Informacionet e gjeneruara vazhdojnë t’u dërgohen shkencëtarëve dhe komunitetit të studiuesve të demencës.